RCCOLA

Shkodran Mustafi, surpriza gjermane e Botërorit

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Mbrojtësi 22-vjeçar është bërë pjesë e grupit të kombëtares gjermane të futbollit.

Sipas mediave gjermane, Mustafi është një nga kandidatët për të qenë mes 23 futbollistëve që trajneri Joakim Lëv do të përzgjedhë për të udhëtuar drejt Brazilit.

Kjo do të thotë se Mustafi do të ketë mundësinë për t’u bërë Kampion Bote, pasi Gjermania rreshtohet mes ekipeve favorite në këtë aktivitet.

E megjithatë, mbrojtësi që aktivizohet te Sampdoria nuk ngurron të kujtojë në një intervistë për faqen zyrtare të internetit të Federatës Gjermane të Futbollit se një ndikim të madh në jetën e tij ka origjina shqiptare dhe vizitat e herëpashershme që bën në Shqipëri.

“Shqipëria ka një ndikim shumë të madh tek unë. Flas gjuhën shqipe, një pjesë e familjes time jeton ende në Shqipëri. Unë shpesh udhëtoj për t’i takuar ata. Për mua është gjithmonë diçka e këndshme kur kam mundësi të shkoj atje”, shpjegoi Mustafi.

I pyetur rreth kontrastit të jetës luksoze që bëjnë futbollistët e njohur dhe situatës ekonomike në Shqipëri, Mustafi nuk ka ngurruar ta cilësojë këtë një faktor pozitiv të jetës së tij, pasi kjo e detyron të qëndrojë me këmbë në tokë.

Mobi Casa

“Ana pozitive e vizitave të mia në Shqipëri është se më mbajnë me këmbë në tokë. Në futboll ekziston rreziku që të verbohesh dhe të mos kuptosh se cila është jeta normale. Ne jetojmë mes luksit, jetojmë në botën tonë që nuk ka të bëjë me atë që shumica e njerëzve jetojnë. Falë vizitave të mia në Shqipëri, pikëpamja ime është zgjeruar, mund të shoh se si është jeta reale. Gjithmonë ndiej se ky faktor më ndihmon”, tha lojtari, i cili më pas ka cilësuar si normale marrëdhëniet me trajnerin e tij te Sampdoria, serbin Sinisha Mihajloviç, duke refuzuar paragjykimet etnike.

“A ka pasur diskutime rreth prejardhjes mes nesh? Jo, ai është trajneri, unë jam lojtari. Nuk ka rëndësi origjina që kemi. Për mua nuk ka qenë asnjëherë përcaktuese kombësia e njerëzve. Jemi në futboll dhe ka një rregull të thjeshtë: Luaj më së miri”.

Duke iu kthyer grumbullimit me përfaqësuesen gjermane, Mustafi ka vlerësuar këtë eksperiencë të jashtëzakonshme që ka pasur mundësinë të përjetojë gjatë këtyre ditëve, pa u shqetësuar shumë nëse do të jetë ai mes 3 emrave që nuk do të udhëtojnë drejt Brazilit.

“Deri tani kam qenë i suksesshëm, ndaj nuk i bëj shumë pyetje vetes rreth asaj që mund të ndodhë. Mundohem të tregoj veten, mundohem të kuptoj atë që kërkon trajneri. Gjithashtu, mundohem t’u lë të kuptojnë të tjerët se edhe prania këtu është një ëndërr që realizohet, nuk është e lehtë të mbërrish deri këtu. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, erdha këtu menjëherë dhe nuk pata kohën e duhur as për t’iu gëzuar kësaj situate. Përllogaritjet le t’i bëjnë të tjerët, pasi unë do të përqendrohem te puna në fushë, meqë kam ende shumë për të bërë. Për mua është gjithçka fantastike, duhen shumë gjëra për t’u bërë pjesë e kombëtares. Stërvitesh dhe luan me futbollistë që kanë fituar shumë trofe dhe kanë shumë cilësi. Kjo është thjesht një eksperiencë e shkëlqyer për mua”, deklaroi mbrojtësi shqiptar, i cili ka luajtur ndeshjen e tij të dytë me përfaqësuesen gjermane në miqësoren kundër Kamerunit. /Gazeta Shqip/

albinfo.ch