UBT

Shkëndija, nderi i shqiptarëve

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Klubi i futbollit – Shkëndija e Tetovës vazhdon dominimin në futbollin e Maqedonisë Veriore.

Shkëndija ka arritur të mbrojë titullin në Maqedoninë Veriore, duke u shpallur kampion për edicionin 2018-2019.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” trajneri Qatip Osmani rrëfehet për suksesin e fundit të klubit, i cili menaxhohet nga biznesmeni i fuqishëm shqiptar Lazim Destani

Shkëndija e Tetovës vazhdon t’i nderojë shqiptarët e Maqedonisë Veriore. Shkëndija ka arritur të mbrojë titullin në Maqedoninë Veriore, duke u shpallur kampion për edicionin 2018-2019. Këtë e arriti pas fitores ndaj Rabotniçkit në udhëtim me rezultat prej 0:1, shkruan Zëri.info.

Ennur Totre ishte ai që shënoi golin e fitores në takimin e fundit për Shkëndijën kur po luhej minuta e 90-të. Shkëndija shpallet kampion me 72 pikë, katër xhiro para mbylljes së kampionatit.

Gazeta “Zëri” e ka zhvilluar një intervistë me arkitektin e skuadrës, trajnerin Qatip Osmani, i cili ka folur për suksesin e klubit tetovar.

“Çdo kampionat ka vështirësitë e veta pa marrë parasysh objektivat që mund t’i ketë një skuadër. Kjo bëhet edhe më e vështirë kur qëllimi është titulli i kampionit dhe në këtë drejtim jam i lumtur e krenar që bashkë me futbollistët, kryesinë dhe të gjithë në klub kemi qenë të aftë të menaxhojmë situatën për të dominuar dy vjet rresht në futbollin vendor”, ka thënë të hënën Qatip Osmani për “Zërin”.

Në pyetjen sa a ishte më e vështirë sivjet apo vitin e kaluar të fitohej titullin kampion, Osmani e dha një përgjigje interesante.

“Gjithmonë thuhet se më lehtë arrihet një sukses sesa të përsëritet. Në këtë drejtim ky kampionat ishte më i vështirë, po flas duke krahasuar me sezonin e kaluar që gjithashtu nuk ishte i lehtë. Ndërsa duke parë performancën e skuadrës, dominimin e treguar, diferencën e madhe që kemi dhe faktin që jemi zyrtarisht kampionë katër xhiro para fundit është e qartë se jemi më të mirët dhe vështirësia kalon te ata që na rivalizojnë”, potencoi Qatip Osmani.

Mobi Casa

“Peng në këtë kampanjë na mbetet fakti se nuk mundëm të shkojmë deri në fund në garën e Kupës, por ishim në nivel në kampionat dhe titull i kampionit kompenson gjithçka. Sigurisht ne jemi të lumtur e krenarë për punën që kemi bërë”, shtoi strategu shqiptar.

Synimet evropiane

Shkëndija ka lënë gjurmë edhe në garat evropiane duke arritur që për dy vjet radhazi të kualifikohet në “Play Off” të Ligës së Evropës. Vitin e kaluar arriti deri në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Kampionëve për t’u eliminuar më pas nga Red Bull Salzburg. Shkëndija pas eliminimit nga Championsi, u eliminua edhe nga Rozenborgu i Norvegjisë për “Play Off”-in e Ligës së Evropës. Në këtë edicion do të marrë pjesë në fazën preliminare të Ligës së Kampionëve si kampione e Maqedonisë.

Osmani foli edhe për synimet evropiane të Shkëndijës. “Shkëndija tre vjet rresht ka prekur stacionin e fundit para fazës së grupeve në UEFA Europa League. Sigurisht se nuk është e lehtë, por ne duam të përsërisim atë ecuri qoftë në Champions ose në Europa League, kësaj radhe me shpresë për të kapur fazën e grupeve. Shkëndija ka për qëllim të luajë në grupet e garave evropiane dhe ne punojmë maksimalisht që këtë ta arrijmë sa më shpejt”, vlerësoi Osmani.

Në Kosovë ka futbollistë cilësorë

Tashmë kur po afrohet afati kalimtar Shkëndija sigurisht se do të mendojë edhe për transferime. Në pyetjen se a po mendojnë që ta transferojnë ndonjë lojtar nga Kosova, Qatip Osmani tha se në Kosovë ka shumë futbollistë cilësorë.

“Skuadra jonë gjithmonë synon të ofrojë në përbërje futbollistë cilësorë dhe pa dyshim se në Kosovë ka të tillë. Por në këtë moment nuk kemi ndonjë lëvizje konkrete, bashkë me drejtuesit do të analizojmë mirë sezonin aktual, të shikojmë nëse do të kemi largim dhe do të vlerësojmë për pozitat ku duam të përforcohemi. Në bazë të kësaj ne si staf teknik kemi pikëpamjet tona dhe bashkë me drejtuesit do të vendosim për lëvizjet eventuale në afatin kalimtar, qoftë për afrime ose për largime”, përfundoi Qatip Osmani.

Shkëndija është model për klubet edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë falë investimeve të madha që i ka bërë kompania “Ecolog”, e udhëhequr nga biznesmeni i famshëm shqiptar Lazim Destani.

Shkëndija është formuar në vitin 1979. Në historinë e saj i ka fituar tre tituj kampioni, ndërkohë qe dy herë ka dalë edhe nënkampione e Maqedonisë. Tetovarët titullin e parë e kanë fituar në vitin 2011./Zëri.info