RCCOLA

Shkëmbimi i zyrtarëve, njohje e realitetit nga Serbia

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar se shkëmbimi i zyrtarëve ndërlidhës mes Kosovës dhe Serbisë është fuqizim i njohjes së realitetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe reciprokisht edhe nga Kosova në raport me Serbinë si dy shtete sovrane.

Thaçi gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës duke uruar fillimin e implementimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sa i përket fillimit të punës të zyrtarëve ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë, tha se ky është komunikimi i parë i nivelit të tillë diplomatik.

“Ky është komunikimi i parë reciprok i nivelit të tillë diplomatik mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, është fuqizim i njohjes së realitetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe reciprokisht nga Kosova në raport me Serbisë si dy shtete sovrane. Prandaj, të dy zyrtarëve që fillojnë sot punën ju uroj suksese dhe Qeveria e Kosovës do të ofroj bashkëpunimin e ngushtë, gjithashtu me autoritetet ndërkombëtare që janë të instaluara në Kosovë’, deklaroi kryeministri Thaçi.

Ai tha se Kosova do të përfaqësohet nga një ambasador i cili do të ketë për detyrë respektimin e Kushtetutës së Kosovës.

Hidromorava

“Siç e dini Kosova do të jetë e përfaqësuar nga një ambasador në cilësinë e zyrtarit ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Beograd dhe obligimi dhe përgjegjësitë e këtij zyrtari janë të qarta, respektimi i plotë i Kushtetutës së Kosovës. Puna maksimale për lehtësimin për implementimin e plotë të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi, transmeton KP.

Shkëmbimi i zyrtarëve ndërlidhës mes Kosovës dhe Serbisë po bëhet pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë me 19 prill të këtij viti, marrëveshje kjo që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zyrtarët ndërlidhës sot do të fillojnë punën edhe zyrtarisht në Prishtinë, respektivisht në Beograd. Kosova do të dërgoj në Beograd ambasadorin Lulzim Peci, ndërsa në Prishtinë do të vije Dejan Pavicevici. /Telegrafi/