Uji Dea

Shkëlzen Maliqi: Dënimi i shqiptarëve, Gruevski të nxjerrë provat

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Nëse Gruevski e do një Maqedoni stabile, atëherë duhet të bëjë më shumë përpjekje që problemet në Shkup të zgjidhen me dialog”. Kështu shprehet Shkëlzen Maliqi, këshilltar i kryeministrit Edi Rama për rajonin, në një intervistë për “GAZETA SHQIPTARE” mbi situatën në Maqedoni.

Ndërsa thekson se kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski duhet të tregojë faktet kyçe që gjykata e Shkupit përdori për dënimin e gjashtë shqiptarëve për rastin “Monstra”, vëren se për këtë proces ka një lloj mistifikimi. Gjatë intervistës, ai ndalet në deklaratat e partisë VMRO-DPMNE kundër Ramës, por nuk lë pa kritikuar edhe qëndrimet e BDI-së.

E ndërsa del kundër notës së protestës që Shkupi zyrtar i dërgoi Tiranës e Prishtinës, kujton se kryeministri i Shqipërisë nuk është paternalist dhe nuk kërkon të orkestrojë politikat e shqiptarëve në Maqedoni. Pyetjes se përse Shqipëria qëndron pasive dhe nuk kërcënon, sikundër bëjnë fqinjët kur ju cenohen bashkëkombësit, Maliqi i përgjigjet: “Po ta bënte Shqipëria këtë, nuk do të ishte vetëm Greqia pengesë për integrimin e Maqedonisë”. Në intervistën e tij zoti Maliqi kërkon të mos luhet me durimin e shqiptarëve.

Si i keni parë protestat e kohëve të fundit në Maqedoni?
Ka dy arsye pse po bëhen protesta në Maqedoni. E para, sepse në muajt e fundit ka pasur shumë incidente e sulme nga huliganët ose klasat ekstreme maqedonase ndaj shqiptarëve dhe ka krijuar një farë atmosfere. E dyta, ka të bëjë me procesin kundër 6 shqiptarëve që akuzohen për rastin “Monstra”, i cili ka qenë që prej fillimit pak i dyshimtë, së paku sipas shtypit shqiptar. Mendohet se ka elementë terrorizmi dhe nuk ka pasur transparencë të mjaftueshme në kuptimin që pala maqedonase të tregojë disa prova, nëse vërtetë ka qenë një grup terrorist që ka bërë një krim makabër? Këto, kanë sjellë një lloj atmosfere jo të mirë. Nga ana tjetër, edhe avokatët që mbrojnë shqiptarët, thonë se nuk ka prova që shqiptarët të jenë të pafajshëm. E kjo, është arsyeja pse shqiptarët po dalin në protesta. Mandej, është fakti që protestat nuk kanë organizatorë të shpallur, është disi spontane e dallohen qartë disa drejtime dhe disa njerëz që fshihen disi pas anonimitetit dhe e shfrytëzojnë këtë pakënaqësi të një pjese të popullsisë, për organizimin e protestave, që përgjithësisht dolën të jenë të dhunshme. Tani, nuk e di, kush është shkaktari i dhunës, a ka qenë policia që e ka përdorur forcën apo ka qenë faji i provokatorëve? Është diçka jo e zakonshme që protesta nuk ka organizatorë, e nuk është dikush që mban përgjegjësi, vetëm ka përkrahës. Nga pala shqiptare janë këto organizatat, individët a grupimet ekstremiste që jo vetëm në këtë rast kërkojnë që çështja e Maqedonisë, e shqiptarëve atje të zgjidhet me ashpërsimin e situatës.

Si e shihni rolin e partive politike shqiptare në Maqedoni?

ARKATANA

Partitë politike shqiptare duhet të kenë kujdes. Edhe ato duhet ta monitorojnë protestën. Kjo vlen sidomos për BDI-në se ka qenë dhe është në pushtet, por edhe PDSH-ja ka përgjegjësinë e vet. Nuk është koha që në Maqedoni të kemi një luftë të re, nuk është koha për një konflikt ndëretnik të shkallës së lartë.

Disa ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka kërkuar që të zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kësaj deklarate në mbrojtje të shqiptarëve të atjeshëm, iu kundërpërgjigj VPMRO-DPMNE(partia e Gruevskit), e cila tha se protestat nuk kanë lidhje me marrëveshjen.

Atmosfera që është krijuar në Maqedoni, në esencë ka lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, pasi ajo nuk është nënshkruar sot, por ka disa vite, madje ka shumë vite, kanë kaluar 13 të tillë. Prej asaj marrëveshje ka shumë sende që ende po negociohen, ka interpretime të ndryshme. Edhe në intervistën që e kishte dhënë dje(pardje) kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, ka thënë që marrëveshja është në realizim e sipër. Kanë kaluar 13 vite dhe ajo ende nuk po realizohet. Ka në të, pjesë shumë të rëndësishme që neglizhohen, por nëse e duan një Maqedoni stabile, ose nëse Gruevski e do një Maqedoni stabile, atëherë duhet të bëjnë më shumë përpjekje që problemet të zgjidhen aty me dialog politik, me gjithë pikat që nuk janë realizuar dhe që janë shumë të rëndësishme e në fund të fundit do e kishin krijuar një situatë të mirë. Ka njerëz maqedonas në Maqedoni që mendojnë se Maqedonia iu takon atyre, dhe se shqiptarët janë njerëz të kategorisë së dytë. Duhet bërë një përpjekje më e madhe e vetë pushtetit që të ndryshojë kjo situatë. Përpjekje duhet të bëjnë edhe partitë që janë në pushtet, por në përgjithësi i gjithë spektri politik duhet të punojë që të realizohet marrëveshja e Ohrit sepse kjo është në të mirën e vetë shtetit të Maqedonisë, në mënyrë që të realizojë ambiciet e veta, dhe të anëtarësohet në NATO.

Gjatë kësaj jave, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka dalë dhe ka ‘kërcënuar’ shqiptarët që dilnin në protesta. Si e pritët ju këtë deklaratë?

Në intervistën e djeshme (pardjeshme) pati qëndrime pak më të buta. Ai tha se nuk mendon që pas kësaj qëndrojnë shqiptarët e Maqedonisë. Pra, bëri dallimin mes shqiptarëve në Maqedoni dhe elementëve që janë destruktivë. Domethënë, ka një lloj zbutje në qëndrim, por kjo është politika e tij e zakonshme. Ai në pushtet ka ardhur me ideologjinë populiste.