UBT

Shkëlqimi i madh i Kosovës së vogël

/ 3 minuta lexim

​Trajneri i xhudos, Driton Kuka, e ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook një video ku përmblidhen sukseset mbresëlënëse të xhudistëve kosovarë gjatë vitit të kaluar, në turneun botëror të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, IJF.

Kuka është trajner i xhudistëve të njohur nga Kosova, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka. Këta pesë xhudistë e kanë përfaqësuar Kosovën në skenën ndërkombëtare, ku kanë treguar mjaft shumë suksese, shkruan Gazeta Express.

“Shkëlqimi i Kosovës së vogël! Me një popullsi prej më pak se 2 milionë njerëz… Jam trajner krenar”, shkruan Kuka në llogarinë e tij në Facebook, nën videon e publikuar.

Në këtë video tregohen sukseset e secilit nga xhudistët kosovarë në skenën ndërkombëtare, duke filluar me Distrian Krasniqi, e cila ka fituar më së shumti medalje në turneun botëror të IJF gjatë vitit 2018, plot tetë medalje.

Në video përmenden edhe sukseset e Nora Gjakovës, që i ka fituar 5 medalje në turneun botëror dhe u shpall kampione evropiane. Loriana Kuka kishte arritur që në këtë turne të vitit të kaluar t’ia siguronte Kosovës edhe dy medalje të tjera.

Mobi Casa

Natyrisht, në video merr pjesë edhe Majlinda Kelmendi, e cila përkundër që ishte e lënduar deri në fund të vitit 2018, arriti të kthehet në nëntor dhe t’ia dhurojë Kosovës edhe dy medalje shtesë. Majlinda i fitoi këta tituj pas 14 muajve e lënduar.

“Me një popullsi prej më pak se 2 milionë njerëz, Kosova i ka disa nga xhudistët më premtues në botë. 2018-ta ishte një vit i zbulimeve të mëdha për të gjithë ekipin. Në vitin 2018, gjashtë atletë aktivë arritën t’i fitojnë 25 medalje në gara të mëdha”, shkruhet në videon e publikuar.

Driton Kuka është trajneri i Kombëtares së Kosovës në xhudo dhe njihet si nismëtar i këtij sporti në Kosovë. Ai ka gëzuar sukses dhe vlerësim të madh ndërkombëtar duke i udhëhequr xhudistët kosovarë drejt arritjeve të mëdha në sportin e xhudos në botë.

Në nëntor të vitit të kaluar, me tri medalje të arta të fituara nga Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, si dhe një të argjendtë të fituar nga Nora Gjakova, Kosova ishte vendi më i suksesshëm, i pari në turneun Grand Prix në Tashkent të Uzbekistanit. /Gazeta Express/