Shkëlqimi dhe rënia e Shani Tarashajt: Nga dështimi tek Evertoni me Ronald Koemanin deri te periudha pa skuadër
Që kur Shani Tarashaj kaloi në Everton në vitin 2016, asgjë nuk ka shkuar sipas planit. Me këtë klub, ai tashmë ka shkëputur kontratën.
Në janar të vitit 2016, 25-vjeçari nënshkroi kontratë katërvjeçare me Evertonin në Premierligë, shkruan “Blick.ch”, përcjell “Zeri.info”.
Mediat angleze e vlerësonin lart futbollistin nga Kosova, i cili kishte ardhur tek Evertoni pas tetë golave në St. Gallen në atë edicion.
Trajneri i atëhershëm i Evertonit, Roberto Martinez kishte thënë aso kohe për Tarashajn:
“Mund të ndjej se ai do të sjellë diçka të veçantë në skuadër. Ai do t’i heqë tifozët nga karriget e tyre”.
Përkundër kësaj, gjërat shkuan keq tek Evertoni për Tarashajn, i cili nuk e luajti asnjë minutë në Premierligën angleze, derisa së fundmi e shkëputi kontratën me Evertonin pas huazimit tek Emmen.
“Tri vitet e fundit kanë qenë për mua një histori vuajtjesh, dua të filloj nga e para”, thotë Shani Tarashaj.
“Martinez kishte ide për të më prezantuar në Premierligë dhe më besoi mua. Shkarkimi i tij ishte thjesht një fat i keq për mua”, tregon më tej ai.
Trajneri i tij i ri ishte Ronald Koeman, trajneri i sotëm i Barcelonës, i cili i kishte thënë Tarashajt se i duhet kohë për të luajtur.
Pas kësaj, ai u transferua tek Eintracht Frankfurti, ku me Niko Kovaçin i ishte dhënë mundësia.
Tarashaj u detyrua të largohej nga klubi gjerman pas disa problemeve shëndetësore.
Edhe në Emmen kishte probleme të njejta, por edhe me mbipeshën, derisa tani thotë se mendon t’i rikthehet fuqishëm futbollit.
“Të gjithë e dinë se unë mund të luaj futboll. Kam akoma shumë vite përpara vetes”, deklaroi mes të tjerash sulmuesi shqiptar. /Zeri.info


