UBT

Shkëlqen tek “Austria Wien”, Fisnik Asllani, e ardhmja e Kombëtares së Kosovës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Në Gjermani e konsiderojnë si një prej talenteve të së ardhmes së futbollit. Bëhet fjalë për Fisnik Asllanin, i cili tashmë është i huazuar te skuadra e Bundesligës së Austrisë, Austria Wien. Këto ditë, futbollisti Asllani i është bashkuar Kombëtares së Kosovës.

Vlera e tij në sajtin “Transfermarkt” është 800 mijë euro, por kjo shifër nuk i mat saktë vlerat reale që ka në këmbë ky futbollist. Ai po kalon momente fantastike me ekipin austriak. Në një bisedë ekskluzive për Albinfo.at, Asllani na tregon se si po shkon aventura e tij e re dhe çfarë synon të arrijë gjatë sezoneve të ardhshme.

Fillimi i shkëlqyer tek “Austria Wien”

Fisnik Asllani nis rrëfimin e tij, duke na treguar për fillimin e tij të shkëlqyer te ekipi futbollistik i kryeqytetit austriak. Si e priti klubi dhe cilat janë objektivat e tij:

“Fillimi në “Austria Wien” ka qenë shumë i mirë. Ekipi më ka pritur shumë mirë. Më kanë ndihmuar dhe ma kanë lehtësuar ambientimin si në vend ashtu dhe në skuadër. Tash jam duke u munduar të vazhdoj formën, me dhënë sa më shumë gola dhe asiste”.

Për objektivat, ai shton: “Objektivi im personal është të jap maksimumin në çdo ndeshje, të kontribuoj për ekipin me gola dhe asiste. Ndërsa objektivi i ekipit është të konkurojë fuqishëm në kampionat dhe t’i arrij synimet e vendosura”, thotë ai për revistën “albinfo.at”.

Dallimet mes futbollit gjerman dhe atij austriak

21-vjeçari karrierën e tij e filloi te BFC Dynamo dhe më pas, një kohë të gjatë e kaloi te Union Berlin, duke luajtur deri në grupmoshat U19. Lojtari kosovar më pas u transferua në Hoffenheim, kurse tani luan si i huazuar te “Austria Wien” deri në qershor të vitit 2024.

Kur pyetet për dallimet mes futbollit gjerman dhe atij austriak, Asllani thotë: “Dallimi më i madh mes Gjermanisë dhe Austrisë mendoj se është intensiteti i lojës. Në Gjermani loja shkon më shpejt. Por, edhe këtu liga duket shumë e mirë. Ka lojtarë shumë të mirë dhe të rinj, të cilët luajnë këtu dhe më pas transferohen në Premier League, Bundesliga apo në vendet e tjera të Europës”.

Pse futbolli?

RCCOLA

Gjithmonë qëndron një histori pas suksesit. Sulmuesi i klubit austriak, Fisnik Asllani na tregon se si nisi dashuria e tij për futbollin:

“Në moshën 6-vjeçare kam filluar të luaj futboll. Babai gjithmonë ka luajtur futboll dhe e dashuron këtë sport. Ai më ka dhënë motivin për të luajtur edhe unë. Më ka çuar në fushat e futbollit, gjithmonë ka marrë topin me vete kudo që kemi shkuar. E gjithë familja ka qëndruar pranë meje”, shprehet ai.

Dallimi mes Kosovës dhe Gjermanisë

Asllani gjatë vitit 2018 ka qenë i grumbulluar në grupmoshat U17 të Kosovës, por ai më pas ka luajtur edhe për Gjermaninë në dy kampe të U18 dhe U20. Në lidhje me dallimet mes Kombëtares së Kosovës dhe Gjermanisë, ai thotë:

“Dallimi më i madh është te kushtet. Por, edhe shteti i Kosovës është duke u përmirësuar. Këtu ka lojtarë të talentuar, dhe shteti është në një rrugë përmirësimi”.

Ëndërron fanellën e Barcelonës

Njeriu është lindur për të ëndërruar. Pra, për të pasur sukses duhet ta kesh një qëllim përpara vetës. Fsinik Asllani në përfundim, pyetet për klubin e ëndrrave, ai thotë: “Gjithmonë më ka pëlqyer Barcelona, dhe ëndërroj që një ditë të luaj me fanellën e saj”.

Shpresat për Shqipërinë në Euro 2024

Përfundimisht, Asllani komenton për mundësitë e Kombëtares së Shqipërisë në Euro 2024, e cila mbahet në vitin e ardhshëm në Gjermani. Dhe tashmë fanella “kuqezi” ka mësuar kundërshtarët në Grupin B, apo siç është quajtur “Grupi i Vdekjes”: “Grupi ku është Shqipëria është shumë i vështirë, por me formën e tanishme, kanë shanse të mira. Janë tri ekipe që janë shumë të forta, sidomos Spanja. Por nëse Shqipëria vazhdon me këtë formë siç ka qenë në kualifikime, kanë shumë gjasa që të përfundojë në pozitën e dytë apo për ta bërë një paraqitje fantastike në Euro 2024.”

Kujtojmë që në dhjetor 2023 Fisnik Asllani pranoi zyrtarisht të vishte fanellën e Kombëtares së Kosovës.