UBT

Shkelje të Statutit për të kamufluar parregullsitë në UP

/ 2 minuta lexim

Kur Senati i Universitetit të Prishtinës ka shkelur Statutin e vet dhe me një vendim të veçantë ka lejuar dy afate shtesë të provimeve, atë të prillit dhe të nëntorit, u ka hapur rrugë studentëve që të kërkojnë edhe më shumë lëshime – pra numër më të madh të provimeve që mund të paraqiten në këto dy afate jashtëstatutare dhe madje edhe afate për çdo muaj për absolventët.

Studentët protestues, të cilët sot thonë se nuk po kërkojnë shkelje të statutit ngase këtë tashmë e ka bërë Senati, kanë bllokuar procesin e mësimit në gjashtë Fakultetet më të mëdha të UP-së, dy nga të cilat vazhdojnë të mbesin të bllokuara, shkruan sot Koha Ditore.

E UP-ja thotë se dy afatet jashtëstatutare janë shtuar për të mbuluar dëmin që shkakton angazhimi i profesorëve në shumë vende pune dhe pamundësia e tyre për t’i përthekuar të gjitha punët e UP-së në orarin dhe afatet e caktuara.

Eco Higjiena

Ekspertët e çështjeve arsimore thonë se duke i modifikuar kriteret UP-ja po blen qetësinë studentore.

Drejtues të Rektoratit kanë thënë se afatet shtesë u dhanë për t’i ndihmuar studentët, duke ditur se ata mund të dëmtohen nga mungesa e profesorëve në Fakultete, pasi që shumë prej tyre kanë edhe vende të tjera pune.