RCCOLA

Shkarkim, jo amnistim për Latifin

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Duke krijuar Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, kryeministri Albin Kurti i ka bërë favor ministrit Rifat Latifi. Në vend që ta shkarkojë, ai po e amniston atë dhe paaftësinë e tij për të menaxhuar si duhet sektorin me më së shumti probleme në vend.

Albin Kurti e ka kuptuar më në fund se gjendja në shëndetësi është e rëndë, shumë e rëndë. Por, në vend se të shkarkojë nga pozita ministrin Rifat Latifi, për shkak të dështimit për ta menaxhuar si duhet këtë sektor, ai zgjodhi që të krijojë Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, në krye të të cilit u vu vetë.

Kryeministri tha se komisioni u krijua për shkak se gjendja aktuale në shëndetësi kërkon veprim urgjent. Por, të intervenohet seriozisht në shëndetësi, urgjente ka qenë gjithnjë, natyrisht edhe prej se Kurti e ka marrë pushtetin.

Rifat Latifin kryeministri e ka prezantuar si profesionist të fushës, i cili do t’i kryejë reformat e nevojshme në shëndetësi dhe i cili do ta menaxhojë profesionalisht sektorin. Megjithatë, që nga ardhja në krye të ministrisë ai më tepër është marrë me vizita jashtë vendit dhe konferenca shkencore, sesa me punën primare të tij. Si pasojë, gjërat në shëndetësi nuk kanë lëvizur për mirë.

Kritikat për Latifin kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme. Me të drejtë. Por, Kurti nuk ka marrë vendim për ta shkarkuar atë, përkundrazi, tash po përpiqet ta shpëtojë, duke krijuar komision qeveritar.

Përpara se të krijohen komisione të tilla, kryeministri do të duhej të adresojë përgjegjësinë. Në këtë rast, ai do të duhej ta shkarkonte ministrin Latifi dhe në vend të tij ta emëronte një menaxher pa kredenciale shkencore, në të cilat do të arsyetohej po që se dështon.

Latifi mund të jetë shumë i zoti në fushën e tij të ekspertizës, mund të ketë botuar qindra punime shkencore, mund të ketë pasur suksese të jashtëzakonshme si mjek, por nuk ka lidhje me menaxhimin e shëndetësisë. Sa më shpejt që të largohet nga pozita, aq më mirë.


Për një vit e gjysmë qeverisje, Albin Kurti dhe ministrat e tij nuk kanë treguar performancën e premtuar për qytetarët. Nuk është Rifat Latifi i vetmi nga kabineti i tij që ka ngecur në realizimin e premtimeve dhe programit qeverisës. Si ai janë pjesa dërmuese e kolegëve të tij.

UBT

Me logjikën e formimit të komisioneve qeveritare, Kurti lirisht mund të formojë një komision të tillë për çdo ministri. Shifrat për investime kapitale tregojnë më së miri se si kjo qeveri e ka shpenzuar buxhetin. Në vend që të realizojë projekte e të investojë para, qeveria e Kurtit ka zgjedhur të mbledh miliona në buxhet dhe herë pas here ua shpërndan kesh qytetarëve, duke provuar ta menaxhojë krizën ekonomike e sociale.

Kur e kishte marrë pshtetin, Kurti kishte dhënë deklarata pompoze për shëndetësinë. “Askush s’mund të falimentojë vetëm pse sëmuret”, kishtë thënë ai. Por, nëse nuk kanë para, të sëmurët edhe mund të falimentojnë. Përvoja personale e ditëve të fundit në institucionin kryesor të mjekësisë në vend tregon se, përkundër kujdesit të personelit shëndetësor, të gjitha barnat duhet blerë dhe në klinika nuk ofrohet thuajse asgjë nga terapia. Nëse pacientët nuk kanë para, atëherë ata e kanë të pamundur trajtimin.

Ministri Rifat Latifi, të cilin Kurti e solli nga SHBA’të si profesionist, ishte shprehur entuziast kur kishte marrë detyrën. “Kthimi i trurit mjekësor tash për tash është koncept në mendjen time, detajet e të cilit do t’i njihni derisa ne i përcaktojmë saktësisht. Fakti se unë kam ardhur këtu nga një rehati në jetën amerikane dhe një pune shumë të mirë është sinjal i fuqishëm që edhe të tjerët të na bashkangjiten në kthimin në Kosovë”, kishte deklaruar ai.

Por, gati një vit pas vënies në krye të ministrisë, asgjë në shëndetësi nuk ka ndryshuar për të mirë. Nuk kanë ndryshuar as frazat e kota të ministrit se çfarë do të bëjë e si do ta rregullojë sektorin.


Albin Kurtit mbase mund t’i vijë keq që ta shkarkojë Latifin. Arsye mund të jenë kredencialet e tij shkencore. Por, jo domosdoshmërisht një shkencëtar është edhe menaxher i mirë. Rasti i Latifit tregon qartë këtë.

Shëndetësia në Kosovë ka nevojë të qeveriset nga një menaxher i mirë, i cili nuk ka kurrfarë interesash që lidhen me mjekët dhe fushën e shëndetësisë në përgjithësi. Ka nevojë për veprime urgjente e të vendosura, që do të krijonin kushte më të mira për qytetarët. Ndërkaq, ministria duhet që sa më shpejt të zgjidhë problemin e sigurimit shëndetësor.

Natyrisht, problemet në shëndetësi janë trashëguar vit pas viti dhe nuk është e lehtë t’i jepet zgjidhje. Por, Albin Kurti e ka marrë pushtetin me premtime të mëdha për këtë sektor, andaj duhet të veprojë. Megjithatë, me Rifat Latifin ministër nuk ka shpresë se mund të ndërrojë diçka rrënjësisht.