Shitja e PTK-së pretendohet të “përligjet” këtë javë

Qeveria e Kosovës nuk e ka në plan që ta lërë t’i ikë edhe afati i fundit, që i ka dhënë kompanisë “Axos”, për të nënshkruar kontratë me të, në mënyrë që kjo e fundit të marrë në pronësi 75% të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ky afat skadon më 26 dhjetor. Për këtë qëllim, partnerët qeverisës po insistojnë që pikërisht të enjten në Kuvend të votohet projektbuxheti i vitit 2014, ku një amendament i këtij dokumenti parasheh shitjen e kësaj ndërmarrjeje.
Sipas burimeve të gazetës, e gjitha pritet të ndodhë brenda një dite. Pra të votohet buxheti dhe të nënshkruhet kontrata dhe në këtë formë të konsiderohet si e mbyllur çështja e shitjes së PTK-së. “Buxheti pritet të jetë pika e parë e rendit të ditës në seancën e radhës dhe besoj se në afat minimal edhe do të votohet.
Ndërsa, lirisht pasdite mund të vazhdohet me nënshkrimin e kontratës me kompaninë ‘Axos’”, ka thënë një burim brendaqeveritar.
Ndërkohë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, nuk është përgjigjur nëse do të ndodhë nënshkrimi apo do të ketë shtyrje të afatit. Por ai ka thënë se puna e shitjes së kësaj ndërmarrjeje do të përmbyllet këtë vit…(Tribuna).