UBT

Shfuqizimi i masave mbrojtëse, tallje me fermerët

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Sikurse të gjitha qeveritë e pasluftës, edhe Qeveria “Haradinaj” po tallet me prodhuesit kosovarë, kryesisht të perimeve sezonale. Kjo ,ngase nuk kaluan as dy javë dhe ekzekutivi e shfuqizoi vendimin që obligon Doganën e Kosovës për zbatim të vendimeve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për vendosjen e masës së përkohshme mbrojtëse në importin e pemëve, perimeve dhe për importin e qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Andaj, sipas analistëve të ekonomisë dhe prodhuesve kosovarë, masa e tillë mbrojtëse e çrregulloi tregun e Kosovës, ngase kosovarët nuk janë në gjendje që të prodhojnë as perime për sezonin e verës e të mos flasim për sezonet e tjera. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të MTI-së, se çfarë thonë për arsyen e heqjes së këtyre masave, zyrtarët e MTI-së, sipas traditës së kësaj ministrie, nuk kanë dhënë përgjigje. Ndërkohë, prodhuesit ankohen dhe kritikojnë Qeverinë. Meriton Mustafa (19) nga fshati Krajishtë i komunës së Lipjanit,që merret me kultivimin dhe shitjen e mjedrave, thotë për gazetën ” Kosova Sot”, se heqja e taksës shtesë, që ishte një masë mbrojtëse për prodhuesit vendorë nga ana e MTI-së për prodhuesit e pemëve dhe të perimeve nga importi, ka qenë një gabim i kësaj Qeverie. “Me këtë vendim po e pësojmë ne prodhuesit kosovarë, ngase në saje të ndihmave që prodhuesit e shteteve fqinje po i marrin nga qeveritë e tyre, prodhimet tona po na dalin me çmime më të shtrenjta në tregun tonë se ato të huajat”, u shpreh ai.

Fermerë kërkojnë ndihmë Prodhuesi Meriton Mustafa thotë se prodhuesit kosovarë janë në një pozitë vërtet të palakueshme, ndonëse thotë se prodhimet tona janë shumë më cilësore në krahasim me mallrat që po hyjnë nga shtetet fqinje. “Kam të kultivuara me mjedra 20 ari sipërfaqe tokë, kurse në tërë fshatin Krajishtë janë të kultivuara më shumë se 20 hektarë me këtë lloj peme, andaj Qeveria jonë duhet të bëjë më shumë për prodhuesit vendorë dhe t’i stimulojë me ndihma, ashtu si veprohet në tërë botën dhe rajonin tonë”, vijoi më tej ai.

Ndërsa, qytetari Pajazit Alimi (45), të premten kishte dalë në Tregun e Pemëve dhe Perimeve në Prishtinë për të bërë pazare dhe për gazetën “Kosova Sot”, tha se Qeveria jonë, përkatësisht MTI-ja, ka bërë një gabim të rëndë me heqjen e taksave mbrojtëse ndaj pemëve dhe perimeve që po importohen nga jashtë, sepse me këtë vendim prodhuesit vendorë po e pësojnë shumë dhe nuk po munden t’i shesin prodhimet e veta. “Jam i mendimit se Qeveria jonë duhet të bëjë shumë më tepër për prodhuesit vendorë, sepse fermerët tanë, edhe ashtu janë në gjendje të rëndë nga mungesa e mjaftueshme e ndihmave për fermerët tanë krahasuar me ndihmat që atyre po u ofrohen në shtetet e tjera. Andaj, është e nevojshme dhe apeloj MTI-në dhe Qeverinë tonë që sa më parë të kthehet vendimi i mëhershëm MTI-së për taksën shtesë ndaj prodhuesve të pemëve e perimeve nga jashtë, sepse kështu veprohet në rajon gjatë sezonit të pranverës dhe verës me qëllim të mbrojtes së prodhuesve vendorë dhe shitjes së prodhimeve sezonale” , potencoi ai.

KKVITI

Tarifat mbrojtëse, hapi i duhur Analisti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën ” Kosova Sot”, tha se, bilancet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbesin në disproporcion të madh, por është me rëndësi të theksohet se Serbia eksporton produkte pa asnjë pengesë, ndërsa edhe ato eksporte të pakta që i bënë Kosova përmes Serbisë, ka pengesa të kohëpaskohshme doganore. “Ditë më parë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, ka vendosur masën mbrojtëse për prodhuesit vendorë. Që nga data 23 tetor, mielli që importohet nga Serbia do të paguajë tarifë prej 0.04 centë për import të këtij produkti. Me këtë vendim, MTI-ja e udhëzon Doganën e Kosovës që t’i ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e prodhuesve të miellit duke e aplikuar tarifën prej 0.04 centë. Masa mbrojtëse për pemët dhe perimet ka ngjallur shumë reagime në vendet e rajonit, por ka gëzuar prodhuesit e Kosovës, çka mendoj se Kosova ka të drejtë t’i mbrojë prodhimet e saj, dhe të ngritë kapacitetet e saj, sidomos për prodhimet tradicionale që i kultivon”, u shpreh ai. Sipas Beqirit, vendimi i ministrit të Qeverisë së Kosovës, Bajram Hasani meriton respekt të veçantë, sepse është ministri i vetëm deri më tani, i cili mbron prodhimet vendore në këtë mënyrë, të cilat i mbron çdo shtet normal, një veprim i tillë vjen në kohën kur Kosova ka sasi të bollshme ose ka sasi të mjaftueshme për një kohë të gjatë, çka mendoj se nuk bie ndesh me parimet e CEFTA-s apo edhe MSA-së, sepse çdo shtet ka të drejtë t’i mbrojë produktet nacionale të vendit. “Mendoj që ky hap duhet të zbatohet edhe për produktet e tjera, si patatet, mollët, mishi, qumështi dhe shumë produkte nacionale që i ka Kosova”, vlerësoi më tej Beqiri.

Ekzekutivi u dorëzua, i “tradhtoi” prodhuesit Eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për gazetën ” Kosova Sot”, tha se mossinqeriteti i partive politike ka kaluar çdo kufi moral, sepse në kohë fushatave bombardojnë qytetarin e varfër me deklarata patriotike që të krijon përshtypjen që Kosovën do ta bëjnë kontinent me idetë e tyre pseudoekspansioniste, ndërsa gjatë qeverisjes dorëzohen para çdo presioni ndërkombëtar. “Edhe kjo Qeveri dhe MTI-ja u dorëzuan para produkteve të importuara duke dëmtuar prodhimin vendor. Duhet të ketë të qartë qytetari i Kosovës që zgjedhjet e ardhshme ato parti që fshihen pas patriotizmit klasik duhet të ndëshkohen me vite, sepse tani e tutje Kosova nuk është në gjendje lufte, por tenton që të konsolidojë shtetin politikisht dhe ekonomikisht, pra Kosova ka nevojë për njerëz që dinë dhe kanë vullnet për strategji ekonomike duke i krijuar kushte biznesit vendor që të plotëson tregun me produkte vendore, por edhe me ambicie për eksport”, potencoi ai. “Vendimet e ministrit të Tregtisë, përkundër pritjeve, treguan që kanë qenë vetëm sa për poenë politikë, që po mendon për prodhuesin vendor, por ekonomia është ajo që nuk t’i prishë matematikat për poenë politikë, sepse ekonomia ecën me këmbë në tokë, pra bizneset janë ato që të matin nivelin e qeverisjes. Kjo Qeveri, deri më tash, ka treguar që ka qenë Qeveria më anemike nga ana intelektuale, pra kjo Qeveri vetëm një sukses e ka pasur duke e ndërprerë ngërçin politikë dhe anarkinë në vend, por si Qeveri është Qeveria më e padijshme në vend”, vlerësoi Kadriaj.

Produktet vendore nuk mbështeten mjaftueshëm nga shteti Analisti i ekonomisë Artan Haziri, për gazetën “Kosova Sot”, tha se prodhimet vendore duhet të përkrahen nga shteti me subvencione , që kosto e tyre të jetë më e ulët për prodhuesin . “Mirëpo, nuk mjafton vetëm kjo. Prodhimet vendore duhet të përkrahen nga shteti edhe me tarifa të ndryshme doganore. Këto tarifa do ta bënin produktin e huaj më të kushtueshëm dhe do ta favorizonin produktin vendor”, u shpreh ai. “Çmimi i produkteve vendore është shumë i lartë ( kosto e prodhimit ), psh një litër qumësht e ka koston e lartë, vjen nga Sllovenia ose Serbia me çmim më të volitshëm dhe e bënë pozitën e produktit vendor më të dobët në treg. Ndaj bizneset duhet të bëjnë reklama më shumë, ta rrisin cilësinë e produkteve dhe me ndihmën e shtetit të bëhen të konkurrueshme në treg. Por, nuk është duke e bërë këtë shteti deri më sot”, ka vlerësuar Haziri.

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot”, e ka kritikuar vendimin e MTI-së për heqjen e taksave shtesë për prodhuesit e pemëve dhe perimeve nga jashtë. “Vërtet është për keqardhje që edhe Qeveria e z Ramush Haradinaj po i bënë të njëjtat gabime me fermerët tanë, sikurse edhe qeveritë paraprake”, potencoi ai. Edhe anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, tha se të gjitha qeveritë e pasluftës e kanë indinjuar tej mase bujqësinë e Kosovës, që ka mundur të jetë njëra nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit. “Kjo, ngase fondet dhe buxhetet e ndara për sektorin e bujqësisë kanë qenë simbolike krahasuar me shtetet e tjera të rajonit”, potencoi ai. Sipas Malokut, jemi bërë një vend i varur nga importi, e madje edhe i pemëve e perimeve.