RCCOLA

Sherifi: Kurti po e bën “Zajednicën” për një çmim shumë të ulët

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë se po krijohet një krizë e re teksa asociacioni ishte tema kyçe në bisedën telefonike që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

E për këtë, Sherifi thotë se kreu i ekzekutivit nuk po e tregon të vërtetën se çfarë është diskutuar.

Në RTV Dukagjini, Sherifi e ka quajtur “mashtrues”, kryeministrin Kurti.

Kjo ngase sipas tij, kryeministri po bën vazhdimisht lëshime.

“Nga kriza në krizë. Kryeministri del e thotë diçka tjetër, kancelari gjerman del thotë diçka tjetër. Këta po ia fshehin të vërtetën popullit, kemi të bëjmë me një qeveri totalisht të papërgjegjshme. Kjo dëshmon që ka telashe, një krizë re. Krejt çka po bën në këto 3 vjet Albin Kurti është që të mashtrojë publikun e në anën tjetër vazhdimisht bën lëshime. Kurti është i gatshëm që Asociacionin ta bëjë madje edhe vetëm me Këshill të Evropës përderisa dikur thoshte se Zajednica nuk duhet të bëhet as me çmimin e njohjes formale nga Serbia, e tani është i gatshëm ta dërgojë në Kushtetuese draftin e Asociacionit. Kemi një kthim për disa hapa mbrapa”, u shpreh ai.

UBT

Ai ka theksuar se kryeministri Kurti po e bën “Zajednicën” për një çmim shumë të ulët.

“Sinjali i Qeverisë Kurti është se do të bëjë lëshime në këtë drejtim sepse ka filluar me Manastirin e Deçanit dhe tash do ta vazhdojë me dërgimin e draftit të Asociacionit në Kushtetuese, që është i barabartë me themelimin e Asociacionit. Kurti është bërë mashtrues tipik. Për një çmim shumë më të ulët po e bën Zajednicën. Ai ka hedhur gaz lotsjellës kundër Asociacionit, ai ka bërë protesta të dhunshme kundër Asociacionit sepse thoshte nuk na nevojitet një shtet me kancer brenda saj siç është Asociacioni. A është kancer tash?”, shtoi më tej ai.

Dërgimin e draftit të Asociacionit në Kushtetuese, Sherifi e konsideron “themelim” të saj.

Sipas tij, Qeveria aktuale është më “jotransparente” deri më tani.