Sherif Sherifi – dëshmor i UÇK-së- krenaria jonë, 15 prill 1999!

Gjilan – Në mes dhembjes dhe krenarisë! Lufta dhe rënia e tyre është vet madhështia, ata ranë heroikisht që populli të ngritët trimërisht, ata përqafuan luftën që atdheu të gëzojë lirinë, ideali tyre ishte liri e plotë, pa kushtëzime e as kufizime.

LIRIA ashtu sikur dituria nuk është e lirë por ka çmim të shtrenjtë ngase liria i ka rrënjët ne gjakun e dëshmorëve prandaj edhe i japin njerëzimit me pikatore.

Familja Sherifi është një familje që ka sakrifikuar për shumë gjeneratë më radhë dukë i dhënë dëshmorë sa herë atdheu ka rënkuar.

Të gjithë ranë në luftë duke shëruar plagët e atdheut çdoherë kur kërkonte atdheu.
Xhaxhai Sherif Sefë SHERIFI ishte i fundit nga familja Sherifi i cili bie heroikisht e sypatrembur duke i fal jetën atdheut që ne sot të jetojmë e frymojmë lirshëm në Kosovën tonë të pavarur.

Si çdo përvjetor edhe ky përvjetor natyrshëm na sjellë emocione ngase na kthen mbrapa në kohë duke kujtuar atë ditë 15 Prilli 1999 kur forcat okupatore të regjimit serb i mësyn malësisë së Zhegocit me qëllim të shfarosjes së popullatës civile dhe shpartallimit të UCK-së e cila kishte shtabin dhe komandën e saj në fshatin Zhegoc.

Familja Sherifi kishte dhënë dëshmorë çdo herë kur atdheu kërkonte, duke filluar nga viti 1877 e deri me luftën e fundit në vitin 1999.

Duke filluar me të parin e fisit Aliun, i cili kishte rënë në vitin 1877 në luftën e Plevnës në Bullgari si ushtar i mbretit, duke vazhduar me vargun e të rënëve, ku stërgjyshi i gjyshit tim Mustafë Sherifi kishte rënë në luftën e Sanxhakut të Nishit gjatë pastrimit etnik të territoreve shqiptare nga okupatori shekullor Serb.

Gjyshi i babgjyshit tim Sherifi poashtu dha jetën duke luftuar në luftën e Kumanovës në vitin 1913 kundër forcave serbe.

Babai i gjyshit tim Sefë Sherifi bie në frontin e Dalmacisë si ushtar i mobilizuar me dhunë. Ai ishte pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Preshevës dhe Bujanocit.

Dhe i fundit nga familja jonë , bie dëshmor për mos të vdekur kurrë Xhaxhai Sherif SHERIFI me 15 prill 1999 në epopenë e Zhegocit.

Xhaxhai Sherif SHERIFI u lind më 07.05.1943 nga nanë Shahadija dhe babai Sefë Sherifi nga fshati Verbicë e Zhegocit komuna e Gjilanit, të cilët si çift kishin 5 fëmijë, dy djem dhe tri vajza.

Sherifi u lind në një familje e shquar me vlera morale e kombëtare me një dashuri për atdheun të trashëguar brez pas brezi nga të parët e familjes.

Meqë prindi i tij Sefa ra në frontin e Dalmacisë duke e lënë Sherifin shumë të vogël, ai rritet jetim për të cilin kujdeset vëllau i tij më i madh Smajli, ngase edhe nëna i vdes shumë e re si pasojë e torturave dhe dhunës fizike të ushtruar mbi të nga pushteti fashist serb gjatë aksionit të mbledhjes së armëve gjatë viteve 1955/56.

Gjyshja Shahë vdes në moshë shumë të re pas dhunës së rëndë fizike dhe psikike të ushtruar ndaj saj duke e futur nën akull në atë dimër të acartë me arsyen për të treguar armët e burrit.

Sherifi pas mbarimit të shkollimit fillor fillon të merret me punë të fshatit kryesisht me bujqësi e blegtori deri sa kur arrinë moshën madhore në vitin 1978 ai punësohet në minierën e Artanës (Novobërdës) në Artanë. Aty si minator duke punuar nën masa të dhunshme e presion nga pushteti egër serb. Ai ishte poashtu pjesëmarrës në grevën e organizuar në nivel Kosove nga minatorët e gjitha minierave në Kosovë duke kërkuar kështu të drejtat dhe liritë elementare të njeriut.

Me pagën që merrte ai kujdesej për familjen dhe shkollimin e fëmijëve të tij.
Aty punon deri në vitin 1989 atëherë kur dëbohen dhunshëm nga puna të gjithë të punësuarit shqiptare.

Me të filluar lufta dhe mobilizimi UÇK-së, Sherifi e pa të rrugës dhe ndjeu obligim moral e kombëtar ndaj atdheut që të angazhojë djalin e tij Sabedin SHERIFI në UÇK, shtabin e zonës në Zhegoc, duke kryer aty punën e teknikut mjekësor e duke shëruar plagët e lirisë të shumë luftëtarëve të cilët vinin të plagosur nga vijat e frontit.

Sherifi njihej edhe për punë dore e vepra arti të punuar nga druri e të cilat flaka e luftës i mori të gjitha duke humbur kështu çdo gjë që ai kishte ndërtuar nga duart e tij.

Për më shumë , edhe pse në moshë paksa të shtyer, Sherifi edhe vet angazhohet në organizimin e luftës për çlirim, ai kyçet në pikën 1 të UCK-së në lagjen e tij të cilën e komandonte Shaban BEQIRI. Sherifin së bashku me ushtarët e kësaj pike ofensiva e 15 prillit i gjeti në istikame të palëkundur deri në flijim.

Sherifi bie dëshmor më 15 Prill ditë e Ejte 1999 në Verbicë të Zhegocit gjatë ofensivës të po kësaj dite ndërmjet një okupatori i cili ishte i armatosur deri në dhëmbë me armë e makineri luftarake dhe UÇK-së e cila po luftonte për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe idealin për të jetuar të lirë dhe pavarur në tokën të cilën na fali i madhi Zot e të cilën e kemi amanet të mbrojmë sa të jemi gjallë brez pas brezi.

Sherifi lë pas vetës gruan me 5 fëmijë e një kallaballëk nipa e mbesa.
I lehtë të qoftë dheu i Kosovës së dashur xhaxhi Sherif SHERIFI.

Lavdi të gjithë dëshmorëve.
Blerim Sherifi
MA Gjuhë Angleze

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS