UBT

Shërbimet shëndetësore dhe përkujdesja prioritet

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Dr. Xhemajl Salihu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se janë përkujdesur për nevojat lokale, duke e pasur si prioritet përkujdesjen për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, Zyra për shërbime shëndetësore ka pranuar 291 kërkesa për ndihmë dhe 157 prej tyre janë aprovuar nga komisioni, në një shumë të përgjithshme prej 12.129 euro.

Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka miratuar raportin e punës së Drejtorisë për Shëndetësi, për periudhën 11-mujore të këtij viti, e cila është vlerësuar me notë pozitive edhe nga opozita.

Dr .Xhemajl Salihu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se janë përkujdesur për nevojat lokale, duke e pasur si prioritet përkujdesjen për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, Zyra për shërbime shëndetësore ka pranuar 291 kërkesa për ndihmë dhe 157 prej tyre janë aprovuar nga komisioni, në një shumë të përgjithshme prej 12.129 euro.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe rrjetin e saj janë kryer 245.461 vizita, janë bërë mbi 103 mijë intervenime, 6216 lidhje të plagëve, 1579 vizita shtëpiake si dhe janë referuar 33609 raste.

Shërbimi i vaksinimit ka vaksinuar 5600 persona, përfshirë edhe vaksinimin kundër gripit sezonal. Gjatë këtyre 11 muajve të këtij viti, është arritur të vaksinohen 86 për qind e fëmijëve parashkollorë dhe shkollorë, ndërsa deri në fund të vitit, do të përfshihen deri në 95 për qind e tyre, ka thënë Salihu.
Salihu ka prezantuar të dhënat edhe për punën e zyrave dhe shërbimeve tjera të sektorit të shëndetësisë, përfshirë edhe mirëqenien sociale. Janë miratuar 90 kërkesa për ndihmë me pako ushqimore. Në kuadër të projektit të dimërimit, me pako ushqimore janë ndihmuar 300 familje, kryesisht në fshatra si dhe 345 të tjera, kryesisht në qytet, janë ndihmuar me dru për ngrohje.

Nga shpërndarja e drurëve të prerë në qytet, kanë përfituar edhe 24 familje të tjera. Në kuadër të një projekti emergjent, që ishte i nevojshëm për shkak të dimrit të ashpër, 200 familje janë ndihmuar me pako ushqimore, ndërsa 110 të tjera me dru. Mbi 60 familje skamnore janë ndihmuar me miell nga disa donatorë, përmes zyrës për mirëqenie sociale, ka thënë Salihu.

KKVITI

Kemi kryer pjesën më të madhe të obligimeve për 20 familje të dëshmorëve dhe invalidëve, për 5 familje të ish-shërbyesve civilë të cilët kanë vdekur, sikurse kemi kryer obligimet e qirasë për 24 familje si dhe kemi ofruar ndihma e shërbime të kësaj natyre edhe për disa raste të tjera, ka thënë Salihu.
Sipas tij, tashmë është përgatitur edhe projekti i dimërimit për sivjet, ku do të përfshihen më se 600 familje në qytet e fshatra, të cilat do të ndihmohen me dru për ngrohje dhe pako ushqimore.

Ndërkaq, në asistencë sociale janë të përfshirë 1167 familje, prej tyre 50 janë nga radhët e komuniteteve, të cilat marrin një shumë mujore prej 65 euro. Sektori i asistencës sociale, gjatë kësaj periudhe ka pranuar dhe shqyrtuar 507 kërkesa të reja dhe 328 prej tyre janë aprovuar, ka thënë drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Xhemajl Salihu.

Kryetari i Komitetit për Shëndetësi, dr Bajram Shaqiri e ka përgëzuar drejtorinë e linjës për punën e mirë që ka bërë në këtë periudhë, duke e inkurajuar që t`i avancojë edhe më tej shërbimet e saj në të ardhmen.

Vlerësime pozitive ka dhënë edhe opozita, ndonëse dr Jashar Jashari (LDK), ka thënë se në raport është dashur të përfshihet edhe kontrollimi sistematik i nxënësve. Sipas tij, te vaksinimi ka ngecje. Dr Nexhat Halili (LDK) tha se duhet të fillohet me projektin e mjekësisë familjare, pavarësisht implikimeve buxhetore, me çka u pajtua edhe dr Hajriz Ibrahimi (PDK), por duke thënë se orari i punës duhet të mbetet i njëjtë.

Sa i përket vaksinimit, dr Shaqiri ka thënë se përfshirja do të rritet me të dhënat e muajit dhjetor, ndërkaq dr Salihu tha se te vaksinimi nuk ka ngecje, pasi që planifikimi bëhet në bazë të numrit të nxënësve nga vitet paraprake dhe nuk është gjithmonë i saktë, por e siguroi KSHMS-së se asnjë fëmijë nuk do të mbetet pa u vaksinuar.

Ndërsa sa i përket kontrollimit sistematik të nxënësve, ai tha se projekti është në zhvillim e sipër dhe deri tani ka përfunduar në fshatra. Salihu u tregua i gatshëm për të ofruar raport menjëherë pasi të përfundojë ky projekt. /rajonipress/