Shënohet dita ndërkombëtare e demokracisë

Viti – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me KVRL- në e Vitisë me rastin e ditës ndërkombëtare të demokracisë ka zhvilluar sot një aktivitet ku para nxënësve të shkollës “Dëshmorët e Vitisë” është folur për procesin e demokracisë konkretisht të pushtetit lokal dhe të atij ekzekutiv dhe vendimmarrës.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu foli para nxënësve rreth demokracisë konkretisht pushtetit lokal në Viti si të atij ekzekutiv dhe vendimmarrës. “Hapat e para mbi demokracinë rëndësinë dhe funksionimin e saj sigurisht se i keni marrë në lëndët përkatëse në shkollë, megjithatë unë do të ju njoftoj rreth funksionimit të demokracisë në pushtetin lokal dhe të atij ekzekutiv dhe vendimmarrës. Organi më i lartë ekzekutiv në nivel lokal është kryetari i komunës ndërsa më i larti në atë vendimmarrës është Kuvendi Komunal e që në komunën tonë përbëhet prej 27 këshilltarëve” u shpreh Aliu.
Ndërkaq Xhevat Bajrami nga Departamenti për Rini e MKRS-së duke ju uruar nxënësve këtë ditë tha se demokracia është treguesi më i mirë i nivelit të një shoqërie.
Ai kërkoj nga të rinjtë që të jenë pjesë e debateve për demokracinë duke theksuar se MKRS do t`i mbështesë ata në këtë aspekt.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Kaltrina Sylejmani. Përndryshe ky aktivitet është organizuar nga DKRS e Vitisë në bashkëpunim me KVRL-Viti./rajonipress/