Shëndetësia në rend të dytë
Shëndetësia edhe në vitin e ardhshëm do të vazhdojë të ballafaqohet me problemet e shumta për shkak se Qeveria e vendi është duke e lënë pas dore këtë sektor.
Kështu vlerësojnë subjektet opozitare, të cilat thonë se Kosova ka buxhetin më ulët në rajon sa i përket shëndetësisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Sipas opozitarëve, shëndetësia për Qeverinë është prioritet vetëm në letër, pasi në realitet nuk po bëhen ndryshime. Ata madje thonë se për interesa të personave të caktuara po rrezikohet edhe jeta e qytetarëve.
Anëtari i Komitetit për Shëndetësi në Lëvizjen “Vetëvendosje”, Mirsad Shkreta, ka thënë se edhe këtë vit buxheti për shëndetësinë është më i ulëti në raport me bruto-produktin e brendshëm krahasuar me të njëjtin raport në vendet e tjera të rajonit.
“Po ashtu mbetet problem i madh brenda buxhetit për shëndetësinë shuma e ndarë për barnat. Ajo është vetëm 30% e buxhetit dhe ashtu të paktë për shëndetin. Praktikisht, Qeveria po ndan nga 1 euro për kokë banori për barnat në Kosovë. Gjithashtu edhe sa i takon prioriteteve të paraqitura në Strategjinë Qeveritare për Zhvillim, në të cilën shëndetësia paraqitet si fushë e rëndësisë së lartë, ato nuk gjenden të paraqitura askund në buxhetin për shëndetësinë”, ka deklaruar Shkreta për “Zërin”.
Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se shëndetësia vazhdimisht prezantohet si prioritet i qeverive në vend, por ky po mbet vetëm prioritet në letër, pasi Kadrijaj konsideron se ky po mbetet sektori më i anashkaluar.
“Edhe këtë herë është anashkaluar shëndetësia, është një rritje e vogël e buxhetit për shëndetësi, është rritje simbolike. Po të shikohet situata aktuale në shëndetësi, ai buxhet është tepër i vogël dhe nëse këtij buxheti të vogël i shtohet edhe keqmenaxhimi që po i bëhet, atëherë nuk pritet ndonjë përmirësim rrënjësor”, është shprehur Kadrijaj.


