Shëndetësi e dështimeve dhe skandaleve
Ndonëse ishte premtuar nga qeverisa ‘MustafaThaçi’ se shëndetësia do të jetë njëra ndër prioritet e saj, kjo nuk ndodhi gjatë këtij viti. Edhe viti 2016 u mbyll me probleme të vjetra, të bartura nga vitet e tjera.
NJË VIT I PASUKSESSHËM NË SISTEMIN SHËNDETËSOR
Kadriaj: Ka degradim total në këtë sistem
“Për shëndetësinë e Kosovës viti 2016 do të mbahet mend si viti më i dobët”, është shprehur Bekim Haxhiu, deputet dhe njohës i çështjeve shëndetësore
Ndonëse ishte premtuar nga qeverisa ‘MustafaThaçi’ se shëndetësia do të jetë njëra ndër prioritet e saj, kjo nuk ndodhi gjatë këtij viti. Edhe viti 2016 u mbyll me probleme të vjetra, të bartura nga vitet e tjera. Bekim Haxhiu, deputet si dhe njohës i çështjeve shëndetësore, e ka vlerësuar si një vit plot me dështime. “Për shëndetësinë e Kosovës viti 2016 do të mbahet mend si viti më i dobët i shëndetësisë kosovare”, është shprehur Haxhiu, duke shtuar se, përveç mungesës së barnave nga lista esenciale, në vitin 2016 kishte edhe mungesë të ushqimit për pacientët, një skandal ky i këtij viti. “Mungesat e barnave nga lista esenciale, mungesa e gjërave elementare dhe abuzimet janë shndërruar në përditshmëri në shëndetësinë e Kosovës”,ka thënë ai. Shtoi se viti 2016 filloi me abuzimet e ministrit Rrahmani dhe stafit të tij me marrëveshjen me Bankën Austriake, deri te blerja e barnave me çmim 12 herë më të lartë se çmimi i tregut. Ndryshe, deputeti, i cili vjen nga radhët e PDK-së, ka përmendur edhe një skandal tjetër. “Këtë vit u nënshkrua kontrata e marrëveshjes për blerje të aparaturave të reja, ndërsa në mungesë te mirëmbajtjes ishin jashtë funksionit aparaturat mjekësore ekzistuese”, ka pohuar ai, shkruan gazeta Kosova Sot.
Keqmenaxhimi dhe tenderomania
Më tej Haxhiu ka shtuar gjithashtu se gjatë vitit 2016 Imet Rrahmani ka vazhduar marrëveshjen për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike. Haxhiu gjithashtu nuk është optimist se gjendja në shëndetësi do të përmirësohet as për vitin 2017.”As buxheti i planifikuar për vitin 2017 nuk jep ndonjë shpresë se shëndetësia kosovare me ketë ministër do të ketë ndonjë përmirësim. Një mendim mjaft kritik është dhënë edhe nga Time Kadriaj, deputete dhe anëtare e Komisionit parlamentar për shëndetësi. Ajo ka vlerësuar për “Kosova Sot” se gjendja në shëndetësi ka qenë e rëndë dhe po vazhdon të jetë e tillë. “Pra, ka degradim total. Mosfinancimi i këtij sektori, keqmenaxhimi dhe tenderomania kanë bërë që ky sektor të jetë i nënvlerësuar”, ka thënë ajo, duke shtuar se skandalet e njëpasnjëshme, mungesa e barnave nga lista esenciale, citostatikëve, insulinave, janë përditshmëri.”Thuhet se shëndetësia është falas në Kosovë, e në fakt shëndetësia është më e paguar nga xhepi i qytetarit”, ka shtuar ajo.
Korrupsion dhe mungesë e mirësjelljes
Në anën tjetër, si njollë të zezë në shëndetësi nga Kadriaj është parë edhe punësimi i militantëve. “Gjithçka që është bërë në shëndetësi ka qenë punësimi i militantëve partiakë dhe dhënia tenderëve kompanive të afërta me pushtetin”,është shprehur Kadriaj. Ndërkohë edhe pacientët gjatë gjithë vitit kanë adresuar kritika në drejtim të sistemit shëndetësor. Janë ankuar për lista të gjata të pritjes, për korrupsion dhe mungesë të mirësjelljes nga ana e personelit mjekësor. Teuta Gashi, qytetare nga Prishtina, ka pohuar se nuk është e kënaqur me shërbimet që ofrohen në sistemin shëndetësor.”Kam përvoja jo të mira nga ana e mantelbardhëve, andaj bëj thirrje për një me menaxhim më të mirë të punës së tyre”, ka thënë ajo. Ndërkaq, edhe Agim Halimi ka pohuar se ka vend për përmirësime dhe organizim të punës më të mirë në këtë sistem.
(Kosova Sot)


