RCCOLA

Shekulli i paradoksit – shqiptarët e Luginës së Preshevës ende të diskriminuar

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Shaip Kamberi – Arrestimet spektakolare dhe akuzat për “terrorizëm e krime lufte”, pabarazia dhe pamundësia në punësim në organet shtetërore (polici, gjyqësi, doganë, kadastër, inspeksione), pabarazia në zhvillim ekonomik, kufizimet në qarkullim të lirë dhe pamundësia e përdorimit të të drejtave që shprehin identitetin (përdorimi zyrtar i gjuhës në organet shtetërore dhe përdorimi i simboleve kombëtare) paraqesin dëshmi se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar edhe sot njësoj sikur në “shekullin e paradoksit’.

10 dhjetori është Dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, e cila shënon ditën e aprovimit të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut (1948) nga ana e OKB-së.

Rezoluta 217A (III) e Asamblesë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara e ka shpallur Deklaratën Universale për të drejtat e njeriut “standard të përbashkët të të arriturave për gjithë njerëzit dhe kombet”.

Edhe pse njerëzimi gjatë historisë kishte aprovuar dokumente të ndryshme që mund të konsiderohen pararendëse të mbrojtjes të të drejtave të njeriut (Magna karta libertatum, apo Deklarata e Pavarësisë së SHBA-ve etj), megjithatë Deklarata është dokumenti më origjinal dhe më i përgjithshëm që njeh të drejtën e gjithë njerëzve në “jetë, liri dhe siguri pa asnjë dallim.

Por, përkundër faktit se mesi i shekullit XX shënon arritjen më të organizuar në mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, shekulli XX mund edhe të konsiderohet “shekull i paradoksit” (siç e quan autori i librit “Pajtimi i vështirë”, Enver Gjuliman).

“Në shekullin kushtuar njeriut”, shkruan autori, ”janë bërë përpjekje të shumta që të garantohen katër liri: liria e mendimit, liria e fesë, liria nga frika dhe liria nga mjerimi”. “Por”, vazhdon ai “e drejta elementare e njeriut, e drejta në jetë, ka qenë e rrezikuar më shumë se kurdoherë”.

Shekulli që e lamë pas është vulosur me Deklaratën universale për të drejtat e njeriut, por, është edhe shekulli në të cilin njerëzit kanë vrarë më shumë përfaqësues të llojit të vet se në gjithë historinë e njerëzimit.

Një autor amerikan, Zbigniew Brzezinski, ish-ë këshilltar i presidentit amerikan për siguri kombëtare, na sjell shifra frapante që vërtetojnë thënien e mëparshme.

Mobi Casa

Në veprën e vet “Jashtë kontrollit”, Brzezinski sqaron se në Luftën e Parë Botërore janë vrarë 33 milionë të rinj prej 18 deri në 38 vjet. Sipas tij në Luftën e Parë Botërore, nga të gjitha palët ndërluftuese, janë vrarë edhe 8,5 milionë ushtarë, në Luftën II Botërore janë vrarë 15 milionë ushtarë, ndërsa, në luftërat tjera edhe 6 milionë të tjerë.

Krahas këtyre vrasjeve në Luftën I Botërore janë vrarë edhe 13 milion gra, pleq dhe fëmijë, ndërkohë që në Luftën II Botërore 2o milionë civilë. Rreth 6 milionë kinezë janë vrarë në luftën Kino-Japoneze. Në gjithë këto shifra masive nuk janë të përfshira krimet, që në emër të komunizmit, ndaj kundërshtarëve politikë, janë bërë në ish- shtetet e socializmit dhe në vetë BRSS-në.

Mu për shkak të këtyre vrasjeve masive nëpër luftëra miratimi i Deklaratës Universale paraqet akt krucial në historinë moderne të njerëzimit, në të cilën “kombet e botës janë mbledhur që të tentojnë që njëherë e përgjithmonë të varrosin pasojat e gjenocidit të ndodhur në Luftën e Dytë Botërore”.

Për të instituciaonalizuar edhe më tej mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në historinë e re janë aprovuar edhe dokumente tjera të rëndësisë ndërkombëtare apo rajonale, prej të cilave më e rëndësishmja do të ishte Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila paraqet themelin e sistemit unik për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe që i mundëson secilit që beson se të drejtat e tij janë rrezikuar e cenuar të kërkojë mbrojtjen e tyre pranë Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Në këto kushte të ekzistimit të mbrojtjes, ndërkombëtarisht të garantuar, të drejtave të njeriut, edhe përkundër faktit se Serbia ka ratifikuar gjithë këto dokumente ndërkombëtare dhe rajonale dhe faktit se kushtetuta e saj e barazon “të drejtën ndërkombëtare” (konventat) me të drejtën e brendshme, shqiptarët e Luginës së Preshevës edhe më tej ballafaqohen me cenimet sistematike të të drejtave të veta të garantuara me dokumentet e përmendura ndërkombëtare.

Arrestimet spektakolare dhe akuzat për “terrorizëm e krime lufte”, pabarazia dhe pamundësia në punësim në organet shtetërore (polici, gjyqësi, doganë, kadastër, inspeksione), pabarazia në zhvillim ekonomik, kufizimet në qarkullim të lirë dhe pamundësia e përdorimit të të drejtave që shprehin identitetin (përdorimi zyrtar i gjuhës në organet shtetërore dhe përdorimi i simboleve kombëtare) paraqesin dëshmi se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar edhe sot njësoj sikur në “shekullin e paradoksit’.

Autori është kryetar i Degës së PVD-së në Bujanoc