Shefkiu: Mungon transparenca, drejtoritë udhëhiqen nga njerëz jo përkatës

Gjilan – Isa Shefkiu nga OJQ “Anamorava” e cila monitoron punën e Asamblesë Komunale thotë për rajonipress se ndryshimet që po tentohen të bëhen në statutin e Komunës janë përshkruar me shkelje të procedurave sepse asnjëherë nuk është dhënë ndonjë arsyetim se pse duhet të ndërrohet statuti aktual.
Isa Shefkiu i cili monitoron punën e Asamblesë Komunale dhe të komiteteve përkatëse shprehet i zhgënjyer me veprimet e fundit që ka ndërmarrë pushtetit aktual për të ndryshuar statutin e komunës dhe për të zvogëluar drejtoritë, raporton rajonipress.
Shefkiu tha për rajonipress se tentimi për të ndryshuar statutin është përcjellur me shkelje të procedurave sepse fillimisht nuk është debatuar në KPF dhe e dyta asnjëherë nuk është dhënë ndonjë sqarim apo arsyetim se pse duhet të ndryshohet statuti aktual.
Shefkiu thotë se pak beson se mund t`i ndihmojë ndonjë përparimi ndryshimi i statutit qeverisjes efikase sepse është problem të devalvohet Drejtoria e Inspeksionit apo ajo e kulturës. “Për tu ndryshuar apo ndërruar statuti duhet të kalojnë propozimet nëpër filtrat institucional dhe duhet të ketë një argumentim me shkrim se pse po ndryshohet dhe të dihen të metat apo mangësitë që ka pasur i vjetri”.
Shefkiu tha se Luta nuk ka caktuar njerëz adekuat nëpër drejtori dhe për këtë arsye po kemi probleme. Shefkiu tha se komitetet dhe nënkomitetet edhe pse ka një vit që janë emëruar ende nuk po funksionojnë si duhet.”Unë po shoh vetëm ndryshime kozmetike dhe nuk ka asgjë thelbësore. Po mungon transparenca derisa po shihet se kryesuesja e Kuvendit nuk ka përvojë sepse ajo nuk po toleron debat nga ana e opozitës. Kryesuesja duhet të jetë më tolerante” u shpreh Shefkiu./rajonipress/