Hidromorava

Shefja e KE-së i kërkon Kurtit zbatimin e ujdive me Serbinë dhe uljen e tensioneve në veri

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, tha të hënën se bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, rreth nevojës për uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.

Dy zyrtarët u takuan në Athinë me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili është nikoqir i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) më 21 gusht, për një diskutim joformal rreth zgjerimit të BE-së dhe të ardhmes evropiane për rajonin.

Von der Leyen tha në X, rrjetin social e njohur si Twitter më parë, se me Kurtin foli edhe për nevojën për t’u “riangazhimuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, duke shtuar se “është jetësore kapërcimi i pengesave në rajon dhe sjellja e Ballkanit Perëndimor më afër BE-së.”

Kurti, ndërkohë, shkroi në X se në takim me shefen e KE-së theksoi “rëndësinë për zbatimin e plotë pa kushte të Marrëveshjes Bazike.”

“Ishte kënaqësi ta takoja presidenten e Komisionit Evropian, në Athinë. Ne biseduam për marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin rajonal dhe planin e BE-së për rritje për WB6 (Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor), si dhe dialogun”, shtoi ai.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – u futën në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Uji Dea

Popullata serbe, e cila i bojkotoi zgjedhjet nga të cilat dolën këta kryetarë, e ka kundërshtuar veprimin e tyre dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave komunale.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, tha më 21 gusht se procesi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës do të determinohet gjatë ditëve në vijim.

Ai nuk dha detaje lidhur me punën e bërë deri më tani nga grupi punues për hartimin e udhëzimit administrativ që mundëson nisjen e peticionit për largimin e kryetarëve të komunave pasi që tha se udhëzimi administrativ do të jetë gati në fund të muajit.

“Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra”, tha Krasniqi për media pas përurimit të punimeve për zgjerimin e një rruge në Gjakovë të hënën.

Krasniqi tha se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune