Fundamenti

Shefi i Njësisë së Monitorimit të Rasteve, nga EULEX vizitoi Prokurorinë Themelore në Gjilan

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka pritur në takim Shefin e Njësisë të Monitorimit të Rasteve, nga EULEX, z. Hubert Van Eck Koster.

Qëllimi i kësaj vizite ishte prezantimi i mandatit të misionit të EULEX-it, i cili ka për qëllim monitorimin e sistemit të drejtësisë, përkatësisht monitorimin e lëndëve në prokurori dhe gjykata, duke ofruar në këtë mënyrë mbështetje për institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë, drejt rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies.

Fillimisht, kryeprokurori Maloku, ka prezantuar veprimtarinë e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke theksuar edhe sfidat me të cilat përballet ky institucion dhe njëkohësisht ofroi mbështetje dhe bashkëpunim, drejt këtij misioni nga EULEX.

Uji Dea

Në anën tjetër, Shefi i Njësisë së Monitorimit të Rasteve, z. Hubert Van Eck Koster, e vlerësoi maksimalisht rolin, gatishmërinë dhe përgjegjësinë e kësaj prokurorie dhe theksoi se ky mision ka qëllim mbështetës, duke ndihmuar autoritetet, në krijimin e institucioneve të qëndrueshme, të pavarura dhe të lira nga ndërhyrjet politike.

Gjithashtu, i njëjti ka potencuar se fokusi i monitorimit të rasteve do të jetë tek lëndët e profilit të lartë, të cilat kanë çfarëdo ndikimi, e posaçërisht do të monitorohen rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës, korrupsionit dhe urrejtjes ndëretnike.

Në fund të takimit, Kryeprokurori vlerësoi rolin e misionit të EULEX-it, duke shprehur vendosmërinë për koordinim dhe bashkëpunim në këtë drejtim./rajonipress/