ARKATANA

SHBA-të mbështesin formimin e FAK-ut

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë mbështetje Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke kërkuar që transformimi i kësaj force në ushtri të Kosovës të shkojë në hapa të sigurt. Këto komente i ka bërë dje në Prishtinë zëvendësasistenti i Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Michael Carpenter, i cili vizitoi Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai u takua me ministrin e FSK-së, Haki Demolli, dhe me komandantin Rrahman Rama.

Carpenter theksoi se Amerika ka qenë dhe do të jetë përkrahëse e Kosovës, duke shtuar se transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, duhet të shkojë përmes hapave të sigurt dhe në mënyrë kushtetuese, duke ndryshuar legjislacionin.

“Të gjithë ju e dini se Shtetet e Bashkuara janë përkrahës të fuqishëm të një Kosove të pavarur, demokratike dhe multietnike, gjë që mendoj se e kemi demonstruar atë, mendoj me përkrahjen që i kemi dhënë Forcave të Sigurisë së Kosovës përmes trajnimeve dhe pajisjeve dhe përkrahje përmes këshillimit. Shtetet e Bashkuara luajnë rol të rëndësishëm duke asistuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës, jemi shumë krenarë deri ku kanë arritur me arritjet e tyre”, tha ai pas takimit.

KKVITI

Zëvendësasistenti i sekretarit të Mbrojtjes tha se FSK-ja një ditë do të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës, por sidoqoftë “ky është një proces që duhet të shkojë në mënyrë kushtetuese me ndryshime të legjislacionit dhe ne e përkrahim shumë atë proces, por ai duhet të shkojë përmes hapave të sigurt”.

Carpenter po ashtu tha se gjatë këtij takimit kanë diskutuar rreth Forcave të Armatosura të Kosovës, për ushtrimet dhe trajnimet që ata kanë./zeri/