“SHBA s’na shpëtoi me fraza boshe”, Osmani: Kur Amerika kërkon veprim nga Kosova, duhet të përgjigjemi njësoj siç na u përgjigj ajo
Ish-presidentja Vjosa Osmani në urimin e saj për Ditën e Pavarësisë së SHBA’së përcolli një mesazh, duke thënë se Kosova duhet t’i përgjigjet SHBA’së kur ajo ia kërkon njësoj sikurse SHBA iu përgjigj Kosovës “kur na duhej më së shumti”.
“Prandaj, kur Amerika kërkon veprim nga Kosova, ne duhet të përgjigjemi njësoj siç na u përgjigj ajo kur na duhej më së shumti: me veprim, me vendosmëri, me përkrahje, me miqësi. Sepse miku i mirë dihet në ditë të vështira”.
Me këtë Osmani u duk se aludoi në zhvillimet e fundit mbi projektin e gazit amerikan ndaj të cilit Qeveria në detyrë e Albin Kurtit po heziton të përfshihet përkundër kërkesës së SHBA’së që Kosova të kyçet.
“Amerika nuk na shpëtoi jetën nëpërmjet frazave boshe, ligjëratave historike apo debateve të kota, por me veprim e vendosmëri”, shkroi ndër të tjera Osmani.
Ajo tha se liria e Kosovës ka gjurmë amerikane kudo: Në jetët e shpëtuara, në institucionet e ndërtuara, në çdo rresht të Deklaratës së Pavarësisë, në çdo njohje të kësaj pavarësie, në çdo sukses e në çdo të arritur.
“Prandaj, kur Amerika kërkon veprim nga Kosova, ne duhet të përgjigjemi njësoj siç na u përgjigj ajo kur na duhej më së shumti: me veprim, me vendosmëri, me përkrahje, me miqësi. Sepse miku i mirë dihet në ditë të vështira”.
Në fund të postimit të saj në Facebook, Osmani la edhe një pjesë të shkëputur nga një fjalim i saj i 4 Korrikut më 2025.
Postimi i plotë:
Amerika nuk na shpëtoi jetën nëpërmjet frazave boshe, ligjëratave historike apo debateve të kota, por me veprim e vendosmëri.
Kur disa hezitonin e fshiheshin prapa fjalimeve, Amerika veproi.
Kur disa fshiheshin prapa interpretimeve të ligjeve, Amerika veproi.
Kur disa thirreshin në miqësi historike me Serbinë, Amerika veproi.
Kur disa i frikësoheshin kostos politike, Amerika veproi mbi parime, mbi vlera njerëzore dhe u shndërrua, për të satën herë me radhë, në kompasin moral të të gjithë njerëzimit.
Për të qenë pranë nesh, Amerika veproi me avionë, me helikopterë, me bomba ndaj armiqve tanë, e me djemtë e vajzat amerikane që rrezikuan jetën e tyre në mënyrë që të shpëtohej jeta jonë. Amerika veproi me fonde, me resurse humane, me ekspertizë, me gjithçka, që ne sot të jemi ky shtet që jemi: i lirë, i pavarur, sovran, demokratik.
Liria jonë ka gjurmë amerikane kudo. Në jetët e shpëtuara, në institucionet e ndërtuara, në çdo rresht të Deklaratës së Pavarësisë, në çdo njohje të kësaj pavarësie, në çdo sukses e në çdo të arritur.
Prandaj, kur Amerika kërkon veprim nga Kosova, ne duhet të përgjigjemi njësoj siç na u përgjigj ajo kur na duhej më së shumti: me veprim, me vendosmëri, me përkrahje, me miqësi. Sepse miku i mirë dihet në ditë të vështira.
Si 17 Shkurti, ashtu edhe 4 Korriku simbolizojnë të njëjtën gjë: lirinë.
Një liri e ndërtuar mbi sakrificë e aleanca. Një aleancë që do të rrojë po aq sa shteti i Kosovës: përgjithmonë!


