SHBA mbledh në takim urgjent Mustafën e Thaçin për Specialen
Top Channel ka mësuar nga burime brenda Qeverisë se, takimi është zhvilluar në kabinetin e kryeministrit Mustafa dhe se ai nuk ka zgjatur shumë. Mësohet gjithashtu se, temë kryesore e takimit ka qenë koordinimi për përshpejtimin e riprocedimit të amendamentit kushtetues për formimin e Gjykatës Speciale.
Diplomatja amerikane në Prishtinë, Jennifer Bachus, e cila aktualisht është duke ushtruar detyrën e ambasadores, pas largimit të Tracey Ann Jacobson dhe në pritje të ambasadorit të ri, mësohet se i ka porositur krerët e koalicionit qeveritar, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, që të mos humbin kohë dhe të koordinojnë deputetët e koalicionit, që të votojnë Gjykatën Speciale para se Kuvendi të shkojë me pushime.
Zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, i ka thënë gazetë Express se ende janë duke bërë përpjekje për t’i siguruar votat dhe se procesi i themelimit të Gjykatës Speciale duhet të përfundojë sa më shpejt.
“Qeveria është duke punuar që të sigurohen votat, dhe kjo çështje të përfundojë në Kuvend”, ka thënë ai.


