SHBA certifikon 31 trajnues vitias në fushën e sigurisë dhe veprimit
Gjilan – Me qëllim të parandalimit të rasteve që cenojnë sigurinë publike në Komunën e Vitisë , Ekipi i Veprimit për Siguri në Bashkësi (EVBS) ka përfunduar një trajnim ku 31 anëtarë të këtij ekipi janë certifikuar nga Departamenti i Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë dhe veprimit.
Ymri Emerllahu Koordinator i EVSB-së në Viti tha se ky trajnim ka për qëllim zgjedhjen e problemeve të natyrave të ndryshme që lidhën kryesisht me sigurinë publike.”Ky trajnim ka pasur për qëllim që përmes projekteve të ndryshme të cilat mund të hartohen nga personat e sapo të certifikuar të zgjidhen problemet e natyrave të ndryshme. Në këtë trajnim janë përfshirë të gjitha lokalitetet si përfaqësues të fshatrave, të arsimit si dhe të tjerë”u shpreh Emerllahu.
Ai theksoi se përmes Ekipit të Veprimit për Siguri në Bashkësi synohet që qytetarët të jenë më aktiv duke ndikuar drejtpërdrejtë edhe në qeverisjen lokale për të zgjedhur problemet e ndryshme dhe atë përmes projekteve. “Anëtarët e EVSB- së përmes projekteve të tyre mund t`i paraqesin ato në Kuvend dhe kanë mundësi që të jenë faktor në zgjedhjen e disa nga problemet me të cilat ballafaqohet shoqëria. Gjithashtu ata mund të ndikojnë që për këto probleme të ngritet zëri me qëllim që të gjendet një zgjidhje e përbashkët “ u shpreh Emërllahu.
Ndërsa këshilltarja e lartë për siguri publike Drita Periç tha se këto certifikata janë simbol i dedikimit që këta persona e kanë ndaj sigurisë në familjet, lagjet dhe qytetit të tyre. “Unë kam nderin dhe kënaqësinë që të dëgjojë për suksesin tuaj dhe më vije mirë që po freskohet ky ekipi në Viti, pasi me të vërtetë Vitia ka nevojë për një shoqëri aktive” tha Periç .
Kurse kreu i Komunës Nexhmedin Arifi tha se sigurisht që përmes vullnetit dhe kontributit të tyre ata do të japin një kontribut të çmuar në fushën e sigurisë dhe zgjedhjen e problemeve, duke ju uruar atyre punë të mbarë dhe suksese në punën e përbashkët.
Arifi së bashku me komandantin e policisë Afrim Halilin u kanë dorëzuar certifikatat 31 përfaqësuesve – trajnuesve të EVSB-së. /rajonipress/