Fundamenti

Shatri: Për “Trepçën” duhen edhe veprime politike

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gazeta “Zëri” përmes burimeve të sigurta mëson se i gjithë sherri ka plasur pas kushtëzimeve që i kishte bërë Qeveria rreth kandidatëve nga komuniteti serb që do të emëroheshin në Bord.

Qeveria po synon që ta formojë një Bord unik për “Trepçën”, ku do të ishin edhe shqiptarët, edhe serbët. Për momentin “Trepça” është e ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe Stan Tërgun me minatorë shqiptarë, shkruan sot Gazeta Zëri.

Se ka qarkulluar kjo ide e pranon edhe Haki Shatri, këshilltari për ekonomi i kryeministrit Haradinaj. Ai ka thënë për gazetën “Zëri” se në situatën aktuale për “Trepçën” nevojiten edhe disa veprime politike.

Mobi Casa

“Për ‘Trepçën’ në këtë fazë nevojiten edhe veprime politike. Kjo nënkupton që duhet ta gjejmë një zgjidhje për involvimin në Bord edhe nga komuniteti serb”, ka thënë Shatri, derisa ka mohuar se është në dijeni se nga ky proces janë tërhequr ekspertët nga Ambasada Britanike. Sipas Shatrit, Qeveria po synon që ta formojë një Bord për të dyja pjesët e “Trepçës”. Megjithatë, nga 100 kandidatët që kanë aplikuar, sipas tij, nuk ka asnjë nga komuniteti serb.

“Nuk e di që ka pasur mospajtime me Ambasadën e Britanisë. Ideja fillestare ka qenë që ata të na ndihmojnë për të zgjedhur njerëz kredibilë nëpër borde”, ka shtuar Shatri, shkruan sot Gazeta Zëri.

Ai ka treguar se për momentin procesi është në fazën kur janë pranuar aplikacionet e kandidatëve dhe është formuar Komisioni që do ta bëjë shqyrtimin e tyre. Kjo fazë pritet të fillojë më 23 janar. Këtë proces ka refuzuar ta komentojë drejtori i tanishëm i “Trepçës”, Ahmet Tmava. Ai ka thënë së konkursi është shpallur nga Qeveria dhe se nuk di asgjë rreth zhvillimeve të fundit.