UBT

Shatri: Ankesa në Arbitrazh nga ‘Bechtel & Enka’ mund t’i sjellë më shumë dëm buxhetit

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Anulimi i tenderit për konsorciumin “Bechtel & Enka” mund ta dërgojë Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit. Kjo drojë është shprehur nga njohësit e çështjeve ekonomike, të cilët kanë shprehur shqetësimin se buxheti i vendit mund të dëmtohet shumë rëndë në rast se kompania turke ka qenë e rregullt në procedurat e tenderimit.

Javën e kaluar qeveria “Kurti” ka vendosur për ta anuluar vendimin e qeverisë “Haradinaj” për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”. Gjatë mbledhjes së Qeverisë u propozua që të mos vazhdohet edhe më tutje kontrata me konsorciumin turk. Megjithatë sipas njohësve të rrethanave ekonomike kjo çështje është parë me shqetësim, pasi në rast se kompania në fjalë ka qenë në rregull me procedurat e tenderimit, atëherë çështja mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Sipas tyre, në rast se ndodh një gjë e tillë, Kosova do të humbë më shumë para sesa ka qenë e paraparë shuma e kontratës, shkruan gazeta “Zëri”.

Në ndërkohë ministri i Infrastrukturës dhe i Ambientit, Lumir Abdixhiku, duke e shtjelluar vendimin e Qeverisë për ta shkëputur kontratën me “Bechtel & Enka”-n potencoi se qëllimi është shpëtimi i 49 milionë eurove për ndërtimin e autostradës “Arbër Xhaferi”. “Kostoja e prezantuar nga ‘Bechtel & Enka’ ka vlerë prej 49.6 milionë eurosh. Kjo kontratë ende nuk është nënshkruar dhe ne si Ministri e Infrastrukturës kërkojmë që ky vendim të shfuqizohet”, tha ai.

Ai pohoi se kjo kompani për çdo muaj kërkon nga Ministria 1.18 milion euro edhe pse në mes të tyre nuk ka një marrëveshje të nënshkruar.

UBT

Haki Shatri, ish-këshilltar për çështje ekonomike në qeverinë “Haradinaj”, pa dashur të komentojë shumë lidhur me vendimin e marrë nga qeveria e re, i tha gazetës se është duke u manipuluar lidhur me këtë vendim.

“Në këto raste secila anë është duke manipuluar me informacione dhe po mundohen ta manipulojnë opinionin. Kontratat që lidhen dhe obligimet që krijohen është bukur vështirë për t’u shmangur pa pasur parasysh se a kanë qenë çështje nacionale ose jo”, ka thënë ai.

Sipas tij, shkëputja e kontratës me një kompani ndërkombëtare mund të paraqesë problem, për shkak se një ankesë nga to mund ta dëmtojë buxhetin edhe më shumë.

“Këta kanë menduar të këpusin një kontratë për arsyet e tyre. Këto ndërmarrje, kompanitë që vijnë nga jashtë dhe vendimet që merren mund të kenë pasoja, sepse një ankesë e tyre në Arbitrazh mund ta dëmtojë buxhetin shumë më shumë. Nuk po dua të them se ka qenë mirë ose keq, sepse nuk e di, por për shkak të procedurave mund të shpjerë në një situatë ku Qeveria duhet të paguajë më shumë për një vendim, i cili është ndërmarrë pa u menduar, sepse kontratat nuk ndërpriten edhe aq lehtë pa analiza”, ka thënë Shatri./ZERI