RCCOLA

Shaqirin e preokupon Kosova

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Në njëfarë mënyre, Xherdan Shaqiri veç e ka rregulluar jetën. 21-vjeçari tashmë ka bërë emër në botën e futbollit si anëtar i ri i Bayern Munchenit dhe si lojtari më i mirë i Zvicrës. Por, gjilanasi nuk po kënaqet me kaq, pa e parë edhe Kosovën si anëtare të UEFA-s dhe FIFA-s.

Mesfushori thotë se po e preokupon tema se a do të vazhdojë të luajë për Zvicrën apo për Kosovën, pasi kjo e fundit të ndërkombëtarizohet.

Xherdan Shaqiri tashmë e ka arritur thuajse maksimumin. 21-vjeçari luan për njërin prej klubeve më të njohura në Evropë, Bayern Munchen dhe është futbollisti më i rëndësishëm i Përfaqësueses së Zvicrës.

Por, futbollisti kosovar nuk po kënaqet me kaq, pa e parë edhe Kosovën si anëtare të UEFA-s dhe FIFA-s.

Në fakt, shteti i ri po bën përpjekje për t’u anëtarësuar në këto dy organizata. Kjo ka bërë që e ardhmja e Shaqirit në reprezentacionin zviceran të vihet në pikëpyetje, ngase pasi UEFA e FIFA ta pranojnë Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), mesfushori do të ketë mundësi t’i rikthehet shtetit amë.

Zviceranët, për të cilët Shaqiri ka nostalgji, i frikësohen këtij fakti, ngase janë të vetëdijshëm se atëherë do të mund ta humbasin lojtarin më të mirë. Kurse, kosovarët janë optimistë se Shaqiri një ditë do t’u kthehet.

Fundamenti

E kjo çështje po e preokupon vetë futbollistin, të cilit nuk po i pritet që sa më shpejt ta shohë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Kosova e ka një rrugë të gjatë para saj derisa të ketë kombëtaren e futbollit. Unë shpresoj që kjo të ndodhë, për këtë arsye edhe kam nënshkruar që Kosova së shpejti të mund të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore”, ka thënë Shaqiri, në një intervistë për Berner Zeitung.

Por, me këtë Shaqiri nuk ka dashur të thotë se do ta braktisë Zvicrën, pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA.

“Është e qartë se unë jam i preokupuar me këtë temë. Por, unë luaj për Zvicrën dhe ndjehem shumë mirë në Kombëtaren zvicerane. Ndërkaq, rrënjët e mia janë në Kosovë dhe ato nuk do t`i harroj kurrë”, ka theksuar ai.

Shaqiri ndihet krenar për dashurinë që e ndjejnë për të bashkëkombësit e tij. “Njerëzit atje më duan. Ata janë jashtëzakonisht krenarë që njëri nga ata luan për Bayernin. Së fundmi, gjatë verës së kaluar, kur isha në Kosovë, më është dashur të fshihem, me syze dielli, me kapele etj. Vetëm në aeroplan më njohën”, ka theksuar gjilanasi, i cili ia ka qitur vetes përpara një objektiv – që me Zvicrën të kualifikohet në Botërorin ‘Brazili 2014’, ndonëse e pranon se nuk do ta ketë të lehtë t’i kalojë kundërshtarët e tjerë të grupit – Shqipërinë, Slloveninë, Norvegjinë, Islandën e Qipron.