Shaqiri shënon në fitoren e thellë të Bayernit

Megjithëse lojtarët e Bayern Munich janë shpallur javën e kaluar edhe matematikisht kampion të Bundesligas gjermane, ata po vazhdojnë të shfaqin lojë të bukur dhe mjaft efikas para golit të ekipeve kundërshtare.
“Bavarezët” me rezultat të pastër prej 4:0 kanë shënuar fitore si vendas kundër ekipit të Nurnbergut në kuadër të xhiros së 29-të të ligës elitare gjermane.
Dilema e fituesit të këtij ballafaqimi u zgjedh pothuajse në pjesën e parë kur kampioni i ri i Bundesligas, Bayern e përfundoi këtë pjesë me tre gola gola epërsi në saje të shënimeve nga ana e Jerome Boateng (5’), Mario Gomez (17’) si dhe Rafinha (24’).
Në pjesën e dytë gjysmëfinalistët e sivjetmë të Champions League vazhduan me lojë sulmuese dhe si rezultat i kësaj, shënuan edhe golin e katërt në ndeshje. Realizues i golit të fundit në këtë ballafaqim ‘relaksues’ për ‘rekordmeister ’ ishte mesfushori sulmuesi shqiptar, Xherdan Shaqiri, i cili shënoi në minutën e 56-të.
Pas kësaj fitore, Bayerni ka 78 pikë në renditjen tabelore të Bundesligas gjermane, përkatësisht ka 20 pikë më shumë se ekipi i vendit të dytë, Borussia Dortmund e cila demoloi si mysafirë me rezultat 6:1 skuadrën e Mergim Mavrajt, Greuther Furth.(tribuna)