Shaqiri: Sa më parë që e fitojmë titullin aq më mirë

Mesfushori kosovar me pasaportë zvicerane, Xherdan Shaqiri, këtë të shtunë mund ta festojë titullin e parë të kampionit në Gjermani me Bajernin e Munihut. Bavarezët do të luajnë si mysafirë të Aintrahtit në Frankfurt dhe me fitore eventuale zyrtarisht do ta sigurojnë titullin e kampionit.
Shaqiri, i cili pritet të luajë titullar në këtë sfidë, është shprehur optimist që qysh këtë fundjavë skuadra e tij do ta kryejë çështjen e titullit në Bundesligë.
“Ne më të vërtetë duam të bëhemi kampionë dhe shkojmë në Frankfurt për fitore. Suksesi në këtë ndeshje do të na japë një shtytje edhe për ndeshjen e kthimit kundër Juventusit. Nuk kam frikë se përqendrimi i skuadrës do të zvogëlohet. Ne shpresojmë që ta mbyllim çështjen e titullit në këtë ndeshje. A do të luaj? Le të shohim se si do ta përgatisë Jup Hejnkes këtë ndeshje. Ne do të bëjmë një lojë të mirë, pa marrë parasysh se kush do të jetë në fushë. Një gjë e tillë u dëshmua edhe në ndeshjen e kaluar kundër Hamburgut, edhe pse trajneri bëri ndryshime të shumta në përbërje”, ka thënë Shaqiri për “Abendzeitung Munchen”, transmeton RTK.
“Pas fitores kundër Hamburgut kam menduar se tashmë ishim kampionë, por më pas e kisha të qartë se ende ishte herët për të festuar. Sidoqoftë, ne jemi duke luajtur një edicion të shkëlqyeshëm dhe gjithçka do të shkojë shpejt dhe në mënyrën e duhur. Sa më herët që bëhemi kampionë, aq më mirë”, ka nënvizuar Shaqiri.
Në pyetjen nëse titullin do ta festojë sërish duke i bërë ‘dush’ trajnerit me birrë, siç e bëri tek Bazeli, kosovari është përgjigjur: “Sa isha në Bazel e patëm lagur trajnerin me birrë si pjesë e festës në konferencën për media. Por, këtu të shohim si do të shkojnë gjërat. Priteni edhe ju befasinë. Deri më tash nuk jam admirues i madh i birrës, pasi konsumoj pak alkool. Por, me festimin e titullit sigurisht se nuk do të rri duarkryq, sepse e kemi merituar këtë sukses”.(tribuna)