Shaqiri një lider i vërtetë, i mëson bashkëlojtarët se si ta fitojnë titullin
Xherdan Shaqiri ka përmendur rëndësinë e të qëndruarit të fokusuar dhe shmangies së frustrimit nga barazimi i së mërkurës me Leicester Cityn për të fituar kundër West Hamit në mbrëmjen e së hënës.
“Të Kuqtë” janë pesë pikë para ndjekësit më të afërt, Manchester City në renditjen tabelare të Premierligës, dhe kundër West Hamit synohet fitorja e radhës.
Derisa, Shaqiri është i vetëdijshëm për zhgënjimin pas këtij barazimi, ai thotë se skuadra duhet të shikojë vetëm nga e ardhmja, raporton Zëri.
“Unë mendoj se ishte një pikë e mire në fund. Ne donim ta fitonim ndeshjen, por nuk ishte paraqitja jonë më e mire. Kështu, që ne duhet ta pranojmë këtë barazim”, tha fillimisht Shaqiri.
“Natyrisht është më mire të jesh pesë pike para ndjekësit më të afërt se sa katër. Ne donim ta fitonim ndeshjen, por çdo ndeshje është e vështirë të luhet. Leicesteri ka një skuadër të mirë dhe janë të organizuar siç duhet – ju e patë këtë në ndeshje – është e vështirë të luash ndaj tyre”, vazhdoi Shaqiri.
“Nëse ne vazhdojmë të jemi të fokusuar në nivelin më të lartë, jam i bindur se do të vazhdojmë t’i fitojmë ndeshjet”, vlerësoi Shaqiri.
Sa i përket luftës për titull, Shaqiri është i bindur se ka ende punë për të bërë, teksa fantazisti kosovar ka mjaft përvojë pasi e ka fituar tri here titullin me Baselin, si dhe dy herë me Bayern Munich.
“Kam luajtur në Gjermani dhe kam fituar tituj atje, kështu që kam përvojë. Duhet të kemi mentalitet fitues dhe lojtarët duhet të jenë të fokusuar. Mentaliteti është i njejtë këtu. Ne duhet të tentojmë t’I fitojmë të gjitha ndeshjet dhe të japim gjithçka që ta arrijmë këtë”, tha Shaqiri në mes të tjerash për faqen zyrtare të Liverpoolit./Zëri/


