Fundamenti

Shaqiri, ndër më të mirët, Xhaka zhgënjeu

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Një tjetër e arritur për Xherdan Shaqirin. Superylli kosovar ka fituar një tjetër çmim të vlefshëm në karrierën e tij. Futbollisti nga Gjilani u zgjodh në formacionin më të mirë të stinorit vjeshtor në Bundesligën gjermane nga portali i njohur për futboll, ‘Goal.com’.

Forma e shkëlqyer që pati me Bayern Munichun në muajt e parë të karrierës së tij me këtë klub, ia mundësuan talentit kosovar që të sigurojë një pozitë në mesin e më të mirëve në Bundesligë, çka është një e arritur e madhe për një futbollist kosovar.

Bashkë me Shaqirin, në 11-she janë edhe pesë bashkëlojtarë të tjerë të tij, përfshirë mbrojtësit Dante dhe Lahm dhe mesfushorët Kroos, Muller e Ribery. Ky i fundit llogaritet ylli më i madh i Bundesligës me paraqitjet e tij fantastike për bavarezët gjatë stinorit vjeshtor, duke kontribuuar në 11 gola për klubin që momentalisht po udhëheq renditjen.

Në anën tjetër, Shaqiri ka arritur të realizojë katër gola dhe shtatë asistime në të gjitha garat për Bayernin në këtë fillim të karrierës së tij në Gjermani. Të kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Shaqiri përzgjidhet në 11-shen më të mirë. Ai disa herë këtë stinor e ka fituar këtë epitet në ekipet e javës në Bundesligë apo edhe në Ligën e Kampionëve.

UBT

Në xhiron e fundit të ‘Champions’, ai u zgjodh në mesin e 11 më të mirëve nga ‘Goal.com’, pas paraqitjes fantastike që pati kundër BATE Borisov, ku shënoi një gol me kokë dhe bëri një asistim.

Xhaka në 11-shen zhgënjyese

Për dallim nga Shaqiri, superylli tjetër kosovar, Granit Xhaka, u zgjodh në mesin e 11 futbollistëve që zhgënjyen gjatë stinorit vjeshtor në Bundesligë, duke mos plotësuar pritjet e tyre. Graniti u transferua te Borussia Monchengladbach gjatë verës, ndërsa pritjet e mëdha dhe presioni i madh i ushtruar mbi të, ia pamundësoi shkëlqimin me këtë skuadër. Ai përmban mesfushën zhgënjyese së bashku me anëtarin e Augsburgut, Ottl, dhe Josuen e Wolfsburgut. (ORAinfo)