UBT

Shaqiri, lojtar klasi

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Xherdan Shaqiri ka impresionuar edhe njëherë me Bayern Munichut, duke kontribuuar në fitoren 3:0 ndaj Wolfsburgut. Mesfushori kosovar ka asistuar në golin e realizuar nga Mario Mandzukic, duke marrë duartrokitje për paraqitjen e tij.

Komentatori i televizionit ‘Sky’, Marcel Reif e ka përgëzuar 20 vjeçarin për paraqitjen, mbi të gjitha pas asistimit që e dhuroi në minutën e 57-të për rezultatin 1:0.

“Klasi është përgatitur për këtë xhuxh. Ai i fut brazilianët në xhep. Më mirë se kështu nuk ka mundur ta fillonte eksperiencën bavareze”, ka komentuar 62 vjeçari, i cili përmendi edhe strukturën trupore të përfaqësuesit zviceran, që shquhet me muskulaturën e tij.

Bayerni ka fituar pesë ndeshje këtë edicion në Bundesligë nga pesë ndeshje të zhvilluara me 17 gola të realizuara dhe vetëm 2 të pësuara. Kjo ishte nisma më e mirë e sezonit për bavarezët në histori të këtij klubit.

RCCOLA

Ndërkohë, edhe vetë futbollisti kosovar po e shijon momentin pozitiv të Bayernit. Mirëpo, ai thotë se ekipi kuq e bardh mund të festojë vetëm në fund, nëse arrin i pari.

“Nuk mund të gëzohemi tash. Më e rëndësishme është se çka do të ndodh në fund të sezonit. Ne na takon ta vazhdojmë këtë ritëm”, theksoi Shaqiri, i cili nuk e ka problem kur mbetet në bankinë. “Për ne, të gjithë janë të zëvendësueshëm, të gjithë jemi lojtarë të rregullt. Është një gjë relative se kush luan e kush jo”, përfundoi ai.

Shaqiri nuk ka luajtur rregullisht në fillim të këtij sezoni, por atëherë kur iu dha rasti, nuk zhgënjeu asnjëherë. Futbollisti gjilanas ishte transferuar në Bayern gjatë verës nga Baseli.