Hidromorava

Shantazhet brenda koalicionit qeverisës në Gjilan kanë paralizuar institucionin më të lartë vendimmarrës – Kuvendin Komunal

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, sot ka mbajtur konferencë për medie lidhur me shqetësimet e fundit sa i përket Kuvendit Komunal dhe Drejtorisë së Arsimit. Para mediave paraqitën qëndrimet e Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, anëtarët e Kuvendit, Gresa Avdiu dhe Drenushë Maloku, ku i pranishëm ishte edhe shefi i GK të LDK-së në Gjilan, z. Avdyl Aliu.

Kuvendi i Komunës ka kohë që po fle dhe nuk po funksionon. Shantazhi brenda koalicionit ka paralizuar institucionin më të lartë vendimmarrës për komunën. “Derisa në vendin tonë dhe në gjithë botën njerëzit përballen me sëmundje të ndryshme dhe i luftojnë ato, madje nganjëherë duke i mbajtur të fshehura edhe nga të afërmit e tyre, në komunën tonë dikush nuk e ka problem të thotë se është i sëmurë, vetëm e vetëm për t’i ikur përgjegjësisë dhe për ta relaksuar vetën në një trajnim në Shqipëri.

Është e papranueshme, e turpshme dhe aspak e nevojshme gënjeshtra e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Komunës së Gjilanit. Dy ditë para datës kur ishte caktuar seanca e Kuvendit Komunal, u njoftuam nga sekretaria e Kuvendit se shtyhet mbledhja e X-të e Kuvendit Komunal me arsyen se Kryesuesi i Kuvendit për shkaqe shëndetësore gjendet jashtë Kosovës. Një ditë para seancës, në portale e medie doli lajmi i faktuar përmes fotografive, se Kryesuesi i Kuvendit është shëndosh e mirë dhe se gjendet në trajnim në Shqipëri.

Edhe po te ishte i sëmurë kryesuesi, për cka gëzohemi që nuk është, seanca e Kuvendit do të duhej të udhëhiqej nga anëtari me i vjetër i Kuvendit Komunal. Nuk ka pasur asnjë bazë në asnjë ligj dhe rregullore në fuqi qe seanca të shtyhet.

Kuvendi është bllokuar, projektet janë bllokuar. Edhe dy ditë jemi në muajin e XI-të, ndërsa ende në Kuvend nuk është raportuar mbi punën e 6 mujorit të parë të kryetarit të Komunës. Ka pasur raste kur pikat janë kontrabanduar, ka pasur raste kur votimi nuk është respektuar. Në Komitetin për Politikë dhe Financa, si shumicë e atij komiteti, opozita ka pasur rolin e saj tejet konstruktiv duke dhënë gjithmonë dritën jeshile pikave për në seancën e Kuvendit Komunal – u deklarua Avdiu para gazetarëve.

Uji Dea

E dimë se po përballeni me shantazh të vazhdueshëm nga partneri i koalicionit dhe nga bashkëpartiaket e juaj. Por, qytetarëve nuk ju bëhet vonë për probleme të tilla mes jush. Menaxhojeni shantazhin dhe ejani në Kuvend, sepse kërkohet llogari dhe transparencë për gjithçka që po bëhet në Komunë.

LDK luan rolin e saj si opozite, do jetë këtu për qytetarët e Gjilanit, por nuk do bëhet dorë e zgjatur e pushtetit komunal sepse i dëmton qytetarët e saj.
Kryesuesit i themi, se nëse në karrierën tuaj si kryesues do mbaheni mend për gënjeshtrën pa kripë që keni bërë ndaj gjithë qytetarëve tanë, kjo do jetë hija me e keqe qe ia keni vendosur vetes. Por, në politikë njerëzit kur gabojnë, reflektojnë. Dorëheqja është akt moral, andaj konsiderojeni dhe analizojeni. Ndoshta është e vetmja rrugë që përmirëson imazhin e njeriut të dytë në Komunë dhe imazhin e prijësit të organit më të lartë legjislativ të komunës.- përfundoi Avdiu sot para qytetarëve.

Ndërkohë znjsh. Maloku ngriti shqetësimet e fundit në sektorin e arsimit.

“Arsimi në Gjilan gjendet para kolapsit, dhe për këtë po heshtë qeverisja lokale në Gjilan. Programet për eficiencë të kontraktuara dhe filluara nga qeverisja e LDK-së nuk kanë filluar ende në shkollën “Abaz Ajeti” në Gjilan dhe shkollën” Liria” në Pogragjë, dhe sqarime për këtë nuk ka dhënë asnjëri.

Më në fund qeverisja komunale ka siguruar lëndët djegëse për shkollat e Gjilanit. Për një metër kub dru, Komuna e Gjilanit ka paguar 93 euro, derisa cmimi i tregut është 60 euro. Ndërkohë shkollat të cilat do ngrohen me pelet, ende nuk kanë siguruar ngrohjen për dimrin që po vjen. Kjo vonesë lë vend për dyshime të keqpërdorimit të parasë publike.
Si pasojë e keqmenaxhimit dhe nepotizmit, një drejtoreshë e Arsimit është shkarkuar në Komunën e Gjilanit. Por, nepotizmi nuk ndalet me shkarkimin e një drejtoreshe. Drejtoresha e re e Arsimit, menjëherë pas marrjes së detyrës së re, ka gënjyer mbi CV-në dhe shkollimin e saj. Mandatin e filloi me dyshime të mëdha të cilat i ngjalli tek qytetarët e Komunës sonë. LDK do jetë kujdestare për këtë drejtori dhe drejtoritë e tjera në mënyrë që të mos dëmtohet besimi i qytetarëve i krijuar ndër vite në institucionet tona. – përfundoi Maloku./rajonipress/