Eko Higjiena

Shala: Të arrihet konsensus politik për çështjet me interes të vendit

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Njohësi i proceseve politike në vend, njëherësh edhe kryetar i KMDLNJ, Behxhet Shala, ka bërë thirrje për konsensus politik për çështjet që janë në interes të vendit.

Ai ka thënë se Kosova nuk mund të shkojë përpara derisa për çështje të rëndësishme për shtetin dhe kombin nuk arrihet një konsensus politik.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Shala ka thënë se gjatë sesionit pranveror Kuvendi i Kosovës pothuajse ka punuar në kushte të luftës pasi, sipas tij, vazhdimisht ka pasur përpjekje për ndërprerjen e seancave edhe me hedhje të gazit lotsjellës, si dhe ka pasur tendenca të bojkotohet puna e këtij institucioni.

Shala ka theksuar se tensioni në Kuvend mund të ngrihet sërish si pasojë e temave që kanë mbetur ende të pazgjidhura.

“Në këtë Kuvend nuk ka pasur kushte objektive për të punuar si duhet, por tash, nëse ndodhin disa zhvillime, edhe mund të ketë efikasitet më të madh në sesionin vjeshtor. Mirëpo janë disa tema, siç është demarkacioni, asociacioni dhe marrëveshjet e Brukselit, të cilat prapë mund të ndikojnë në ngritjen e tensionit në punën e Kuvendit. Kosova nuk mund të shkojë përpara derisa për çështje të rëndësishme për shtetin dhe kombin nuk arrihet një konsensus politik”, ka pohuar Shala.

Ai ka thënë se pozita, edhe pse i ka numrat, nuk mund të marrë vendime unilaterale për çështje me rëndësi shtetërore dhe kombëtare.

Mobi Casa

Mirëpo, sipas tij, edhe opozita nuk duhet të jetë aq e ngurtë, por duhet të jetë më bashkëpunuese.

Shala në këtë intervistë ka folur edhe për rekomandimin e KDI-së për krijimin e Ministrisë pa Portofol për Marrëdhënie me Kuvendin.

Sipas tij, një ministri e tillë nuk mund të ndikojë as në ngritjen e efikasitetit të punës së Kuvendit, por as në krijimin e një atmosfere më demokratike brenda Kuvendit.

“Efikasiteti i punës së Kuvendit nuk rritet me krijimin e një ministrie, por rritet me zbatimin e Rregullores së Punës së Kuvendit dhe me sanksionimin e atyre që marrin paga të pamerituara dhe nuk japin kontributin e tyre siç parashihet me këtë rregullore”, ka thënë Shala, për Epokën e Re.

Ai ka shtuar se punën e Kuvendit e rrit moskrijimi i krizave politike siç ishte kjo e fundit, e cila ka ndikuar në mbarëvajtjen e punës së Kuvendit.