Shala shqiptari që la milionat e Kinës për Spartën e Pragës
Herolind Shala ka mundur të fitojë 10 herë më shumë sikur mos ta zgjidhte Spartën e Pragës por të transferohej në kampionatin kinez. Mesfushori fantastik i Kombëtares së Shqipërisë, ka treguar se kishte një ofertë tejet të majme nga kampionati kinez por e refuzoi atë pasi dëshiroi të bëjë karrierë në Evropë, transmeton Telegrafi.
“Është e vërtetë, pata oferta nga Kina. Zgjodha këtë rrugë, sepse kërkoja të luaja në Evropë. Ishte një klub i vogël në Kinë, që lëviz lart e poshtë në tabelën e renditjes. Për më tepër që Kina ishte shumë larg. Më duhej që të udhëtoja shumë dhe të isha larg familjes”.
“Oferta që erdhi nga Çekia ishte shumë më e mirë sportivisht, sesa ajo që ishte në Kinë. Sa për rrogën mund të them që ajo është shumë më e vogël se sa ajo që ishte në Kinë. Nuk mund të them ndonjë gjë të madhe përsa i përket rrogës, por në Kinë mund të shkojë deri në gjashtë milionë korona”.
“Për mua është futbolli në vend të parë. Sigurisht që ka klube shumë të mira, që japin shumë para, por ato klube janë tri apo katër shkallë më poshtë se klubet në Evropë. Nëse Kina është kilometra e kilometra larg Evropës, kjo e fundit është shumë afër futbollit dhe sportit”, deklaroi talenti Herolind Shala. /Telegrafi/


