Mobi Casa

Shala rrëfehet për lëndimin e pësuar: Mu mbushën sytë me lot që nuk mund t’i ndihmoj Kosovës

/ 3 minuta lexim

Herolind Shala ka qenë lojtari kryesor i trajnerit Bernard Challandes, prej se ky i fundit e ka marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës.

Mesfushori nga Drenasi ka qenë titullar i padiskutueshëm në formacionin e zvicerane dhe lider i Kosovës.

Por në momentin që po kalonte nëpër një formë të mrekullueshme te Valerenga, Shala është lënduar në stërvitje me skuadrën norvegjeze.

Lëndimi i pësuar ka bërë që Shala t’i humbas dy ndeshje tejet të rëndësishme me Kosovën, ndaj Malit të Zi dhe Bullgarisë që do të zhvillohen në muajin qershor.

Në një prononcim për Telegrafin, Herolindi thotë se i vije tepër keq që nuk do të jetë në fushë për t’i ndihmuar shokët e Përfaqësueses.

“Isha duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme, shënoja rregullisht dhe asistoja, por lëndimi erdhi në një moment shumë të keq”.

“Mezi prisja që të vinte muaji qershor dhe të grumbullohesha me Kosovën, pasi është krenari ta veshësh atë fanellë. Nuk është lëndim i rëndë, pasi është qarë muskuli pak, por që duhet të jem jashtë fushave për tri javë”.

“Në momentin që morra vesh se do të jem jashtë fushave, mu mbushën sytë me lot pasi iu kam dashur edhe klubit, por edhe Kosovës”, tha Shala për Telegrafin.

27-vjeçari do të ishte kapiten i Kosovës në këto dy ndeshje në mungesë të Hekuran Kryeziut.

“E kam thënë edhe më parë se shiriti i kapitenit nuk është problem, pasi të gjithë kemi veshur fanellën e Kosovës dhe mundohemi të bëjmë më të mirën për vendin tonë. Nuk ka qenë me rëndësi kush do të ishte kapiten, por me rëndësi janë rezultatet. Më vije shumë keq që nuk jam në këto dy takime të rëndësishme për t’i ndihmuar bashkëvendësit e mi”, vazhdoi tutje Shala.

Fidanishtja

Por Herolindi ka besim të madh tek shokët e Përfaqësueses se do të marrin rezultate pozitive ndaj Malit të Zi dhe Bullgarisë.

“U bënë shumë mungesa në mesfushë sidomos, pasi përveç meje mungon edhe Hekurani e Valoni, por besoj fuqishëm në grupin e lojtarëve, besoj shumë se do të marrin rezultate pozitive në dy takimet”.

“Uroj që nga Mali i Zi dhe Bullgaria të kthehen shokët me pikët e plota, pasi kemi potencial dhe kemi cilësi më shumë”, deklaroi Shala.

Herolindi në janar iu bashkua skuadrës së madhe norvegjeze, Valerenga ku edhe ka shkëlqyer në këtë fillim edicion.

Mesfushori qendror i Kosovës ka shënuar tre gola dhe ka bërë pesë asistime në 11 takimet e para.

“E kam filluar mirë me Valerengan, por edhe në klub ka shumë futbollistë cilësorë. Jemi një grup i mirë dhe kemi objektiva të mëdha, që të fitojmë trofe ose të sigurojmë daljen në garat evropiane”.

“Nuk jam futbollist që i shikoj statistikat, edhe pse ato janë të vlefshme. Për mua së pari është e rëndësishme skuadra pastaj statistikat. Kam shënuar e kam asistuar, por këtu kanë merita edhe bashkëlojtarët”, deklaroi Shala.

Afati kalimtar veror do të fillojë së shpejti, por Shala ndihet i qetë pasi ka kontratë me klubin norvegjez.

“Aktualisht jam i qetë pasi kam një kontratë valide me klubin”, përfundoi mesfushori kosovar. /Telegrafi/