Shala: Haradinaj kryeministër, vetëm në koalicion me Thaçin
Analisti Behxhet Shala, thotë se lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet kryeministër me këtë marrëveshje, por përjashton këtë nëse Haradinaj mbështet liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi.
Sipas Shalës, në qoftë se i rrezikohet pragu NISMA-së kjo marrëveshje mund të ndryshojë dhe nëse AKR arrin të bëhet pjesë e Kuvendit atëherë kjo ndikon në ndërrimin e raportit në mes të pozitës dhe opozitës.
“Sipas vlerësimit tim, Ramush Haradinaj, në asnjë variant nuk do të bëhet kryeministër me këtë marrëveshje. Ramush Haradinaj, mund të bëhet kryeministër në qoftë se e merr betimin e zotit Thaçi, në qoftë se hyn në bashkëpunim me zotin Thaçi. Përndryshe unë nuk e shoh rrugën se me këtë marrëveshje Ramush Haradinaj mund të bëhet kryeministër, në asnjë mënyrë”, shprehet Shala.
Edhe pse thotë se kanë të drejtë për marrëveshje, Shala vlerëson se një gjë të tillë subjektet politike e kanë bërë si arsyetim para elektoratit të tyre dhe se ende pa u bërë certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në aspektin moral është e papranueshme, në aspektin ligjor nuk prodhon asnjë efekt me këtë marrëveshje.
“Duhet ta kemi parasysh se po të ishte në Kosovë sistemi mazhoritarë, atëherë në rast se shumica nuk është në gjendje ta formojë qeverinë, kjo e drejtë i kalon pakicës, ndërkaq, meqë në Kosovë është sistemi proporcional. Unë mendoj që në të dy rastet ai që ka fituar zgjedhjet ka të drejtë ta propozojë qeverinë, dhe vetëm në qoftë se nuk kalon në këto dy raste, atëherë të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Që të gjithë janë duke bërë plane që të shkohet në zgjedhje të parakohshme sepse të gjithë mendojnë se ju ka ardhur momenti që ta përmirësojnë, votat të cilat i kanë humbë në këto zgjedhje, dhe thjeshtë po vlerësojnë që në zgjedhjet e parakohshme, atëherë do ta shtrijnë për toke PDK-në dhe Hashim Thaçin, dhe mendoj se e kanë shumë gabim, sepse mendoj se disa parti të cilat tash kanë hy si pjesë e marrëveshjes, në zgjedhjet e tjera do ta humbin krejtësisht elektoratin, konkretisht e kom fjalën për NISMA-në”, deklaron Shala.
Sipas tij, nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, nga situata e krijuar, PDK do të ketë rritje të elektoratit.
“Në zgjedhjet e parakohshme eventualisht do të arrij ta rrisë numrin e votave, kjo është e diskutueshme, ndoshta mund ta rrisin numrin e votave, por nuk e besoj sepse vetë marrëveshja edhe pse thamë nuk prodhon efekte juridike, prodhon efekte të votuesit. Sepse e kemi kështu një ngatërresë, e kemi një përzierje të elektoratit, i cili deri dje nuk ka qenë në asnjë raport bashkëpunim në asnjë aspekt. E tash për njëherë dhe një kohë shumë të shkurtër ata arritën që të merren vesh, kjo në zgjedhjet eventuale të parakohshme do të ketë ndikim shumë”, thotë Shala.
Qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për mbështetje të “Qeverisë emergjente” që do të mund të rridhte nga koalicioni, nëse ajo do t’i ndërprente bisedimet me Serbinë, implementimin e marrëveshjeve dhe funksionimin e asociacionit, si dhe ndërprerjen e privatizimit të Trepçës, Postës dhe pasurisë tjetër të Kosovës, Shala thotë se është bërë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, dhe ky subjekt politik të rrisë numrin e votave./Telegrafi/

