KKVITI

Shaip Surdulli fiton edhe betejën e fundit gjyqësore

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan e kryesuar nga trupi gjykues që përbëhej nga Ilmi Dalipi kryetar ka liruar nga akuzat ish kryetarin e Kamenicës Shaip Surdullin. Gjykata vlerësojë se në këtë rast nuk ka pasur prova e dëshmi se Surdulli ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Pas shumë përplasjeve e betejave gjyqësore Shaip Surdulli të hënën është liruar edhe nga një proces gjyqësor raporton rajonipress.

Gjykata Themelore në Gjilan ka liruar nga akuzat Surdullin me arsyetimin se nuk ka pasur prova e fakte se ai të ketë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Ilmi Dalipi kryetar i trupit gjykues duke shpallur aktgjykimin tha se në mungesë të provave lirohet nga akuzuat dhe shpallet i pafajshëm Shaip Surdulli.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritur aktakuzë kundër ish kreut të Kamenicës Shaip Surdulli i dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Surdulli dyshohej se ka nënshkruar një kontratë me IPKO në vlerë të 19980 eurove gjë që nuk ka pasur të drejtë ta bëjë një gjë tillë, meqë nuk janë udhëhequr procedurat e prokurimit.

Surdulli vazhdimisht e ka quajtur shumë joprofesionale aktakuzën.

UBT

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Agron Uka thuhej se Surdulli ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtarë, në atë mënyrë që me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër ose shkaktimit të dëmit personit tjetër, ashtu që i dyshuari ka lidhur kontratë me IPKO me një çmim prej 19980 euro brenda vitit, duke i anashkaluar procedurat e prokurimit.

Prokuroria është bazuar edhe në ekspertizën financiare të kryer nga eksperti Riza Blakaj i cili ka konstatuar se nuk janë respektuar procedurat e prokurimit publik.”Zyrtari përgjegjës i prokurimit publik është i vetmi zyrtar i autorizuar për nënshkrimin e kontratës nga rrjedh se tani i pandehuri Shaip Surdulli nuk ka pasur të drejtë të nënshkrimit të kësaj kontrate me operatorin IPKO” ka konstatuar eksperti Blakaj.

Edhe Sadik Thaçi ish shef i zyrës së prokurimit në Kamenicë ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar nga Surdulli rreth kësaj kontrate.

Kurse Shaip Surdulli në hetuesi dhe para prokurorit dhe para trupit gjykues ka thënë se kanë qenë 66 punonjës të Komunës së Kamenicës që kanë shfrytëzuar këto kartela.

Ndërkaq i kontaktuar nga rajonipress Surdulli tha se që nga fillimi është ditur se kjo aktakuzë është shumë joprofesionale dhe e paqëndrueshme. “Të akuzosh një kryetar komune pse ka siguruar kartela mbushëse për zyrtarët e një komune kjo vërtet më duket shumë absurde. Unë i kam besuar dhe prapë u besojë organeve të ndjekjes, por nëse vazhdohet të mos i besohet asnjë organi, asnjë institucioni apo komiteti profesional kjo më duket shumë joserioze”.

Surdulli tha se i ka fituar të gjitha betejat gjyqësore dhe edhe sot doli fitimtar. “Kjo është dëshmi se vërtet puna ime është bazuar në profesionalizëm dhe ndershmëri. Asnjëherë në jetën time nuk kam keqpërdorur asnjë cent. I di motivet e këtyre proceseve, por fatmirësisht Gjykata asnjëherë nuk ra në kurthet e tyre. Begzad Sinani vazhdimisht është munduar të më etiketojë me lloj lloj dosjesh, por i shkuan huq. Unë nuk e kam ndërmend të kërkojë ndonjë dëmshpërblim sepse dëmshpërblimi më i madh për mua është fakti se në tri procese gjyqësore kam dalur fitues” tha Surdulli./rajonipress/