UBT

Shaip Kamberi tregon si nisi përplasja me kryeministren Brnabic

/ 2 minuta lexim

Debati për ndryshimet kushtetuese në parlamentin e Serbisë u shoqërua me përplasje të forta verbale. Protagonistët kryesorë ishin deputeti shqiptar i Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic. Kamberi foli për një ndryshim tërësor të kushtetutës dhe përmendi si problematike, preambulën që përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë.

Për këto zhvillime, Kamberi foli në A2CNN, ku tregoi se si nisi përplasja me kryeministren e Serbisë.

Fundamenti

“Në seancën e sotme unë shtrova kërkesën dhe nevojën, me qëllim të përshpejtimit të integrimit të Serbisë në BE, kushtetuta duhet të ndryshohet tërësisht dhe jo vetëm në mënyrë parciale. Kjo ishte një nxitje e një shkëndije që irritoi Brnabic, e cila me fjalë denigruese u mundua ta përshkruajë Kosovën se ka kryer krime ndaj Serbëve, ndërsa unë i kujtova faktin e varrezave masive në Serbi me shqiptarë”, u shpreh Kamberi.

Më tej, ai u pyet edhe për vizitën e Palmer dhe Lajçak në Beograd pak ditë më parë. “Shpresoj që të jetë një iniciativë serioze e SHBA që të bindë Serbinë të futet në dialog me Kosovën për të arritur marrëveshjen përfundimtare. Megjithatë, unë jam skeptik pasi në Serbi vitin e ardhshëm janë zgjedhjet presidenciale dhe nuk mund të pres nga Vuçiç të njohë Kosovën para zgjedhjeve. BE ka shumë mekanizma që të bindë Serbinë për të ndryshuar sjellje”, tha Kamberi.