Shaip Kamberi i shkruan letër Vuçiqit

Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi i ka shkruar letër Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Përmes kësaj letre ai e ka njoftuar Vuçiqin se nuk do të marr pjesë në konsulatën për themelimin e qeverisë së re.
”Njoftova Presidentin se nuk shoh të arsyeshme të bëhem pjesë e një procesi të rrejshëm të demokracisë, sa për të përmbushur formën, ndërkohë që bashkëkombasit e mi mbeten pakica skajshmërisht e diskriminuar në sistemin shtetëror në 13 vitet e fundit.” ka shkruar ai, duke publikuar edhe letrën e plotë.
Letra:
Z. President,
Në emër të Listës zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” e cila në këtë përbërje të Kuvendit Republikan ka një deputet si përfaqësues të komunitetit shqiptar në Serbi, Ju njoftoj se, për herë të parë në historikun e përfaqësimit tonë parlamentar, nuk do të marrim pjesë në konsultimet e planifikuar për formimin e qeverisë së re.
Deputetët shqiptarë ndër vite kanë marrë pjesë në konsulta, të cilat, konform legjislacionit vendor, i mban presidenti i shtetit, me të gjithë listat parlamentare të cilat sigurojnë mandate përfaqësimi në Parlamentin Republikan.
Sikurse në vitin 2012, edhe në vitet 2014, 2016, 2020, 2022 dhe 2024, deputeti ose deputetët shqiptar, presidentëve të shtetit, në formë të shkruar, i kanë prezentuar kërkesat legjitime të popullatës shqiptare, si nevojë e domosdoshme për përmirësimin dhe avancimin e pozitës shqiptare në Republikën e Serbisë.
Që nga 2014, kërkesat e shqiptarëve kryesisht janë të bazuara në dokumentin e njohur si “Plani shtatë pikësh” e të cilin e kishin përpiluar atëkohë të gjitha subjektet politike shqiptare.
Të njejtën platformë politike, duke e cilësuar si të drejtë e të përpiluar konform legjislacionit vendor dhe standardeve evropiane, e ka aprovuar edhe Qeveria e Serbisë në vitin 2013.
Që nga atëherë e deri më sot, përtej përpjekjeve tona politike e institucionale, asnjë qeveri e drejtuar nga Ju dhe subjekti politik të cilin e keni drejtuar kohë të gjatë, nuk ka parë të arsyeshme që të bashkëpunojë me përfaqësuesit shqiptarë për realizimin e kërkesave tona legjitime.
a. Pasivizimi i shqiptarëve vazhdon edhe sot;b. Mosnjohja e diplomave të studentëve tanë, që kanë përfunduar studimet në Universitetet e Republikës së Kosovës, vazhdon të jetë arsyeja kryesore e ikjes masive të të rinjëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës;c. Dyert e institucioneve publike vazhdojnë të mbeten të mbyllura për shqiptarët dhe punësimi i tyre nëpër këto institucione është akoma i pamundur;d. Gjuha e urrejtjes (edhe pse personalisht kishit premtuar se do të angazhoheshit për parandalimin e saj) po vazhdon të mbetet pjesë e komunikimit të përditshëm të përfaqësuesve të lartë shtetërorë me shqiptarët, ndërsae. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, po vazhdojnë të mbeten komunat më të pazhvilluara në Serbi.f. Mjekët të cilit gjatë pandemisë Covid19 kishin punuar në Shtëpinë e shëndetit në Preshevë, përtej udhëzimit të Qeverisë se do duhej të punësoheshin me vendim të përhershëm, po vazhdojnë të mbeten të papunë, g. Njësoj sikur që papunë kanë mbetur edhe kuadrot e specializuara shqiptare në polici.h. Me vite të tëra as edhe një polic shqiptar nuk është punësuar në policinë lokale në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë,
Patur parasysh të gjitha këto që i përmenda dhe të bindur për mungesën e thellë të vullnetit politik në Beograd që kjo pozitë e shqiptarëve të përmirësohet thelbësisht e që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të barabart të këtij shteti, Ju njoftoj se nuk do të marrim pjesë në konsultimet e parapara për krijimin e qeverisë së re.
Kriza aktuale politike në Serbi kërkon një qasje plotësisht të re pa presione ndaj atyre që mendojnë ndryshe, me lirinë e plotë të medias, me rrespektimin e pakusht të të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare.
Mbetem i përkushtuar për vazhdimin e betejës sonë politike dhe mbetem i hapur që të bisedojë dhe bashkëpunojë me këdo që, në mënyrë serioze, të sinqertë dhe pa kalkulime, në frymën e fundamenteve të Bashkimit Evropian, do të ketë gatishmërinë për të filluar me realizimin e plotë të kërkesave tona legjitime.
Deri atëherë nuk shoh të arsyeshme të bëhem pjesë e një procesi të rrejshëm të demokracisë, sa për të përmbushur formën, ndërkohë që bashkëkombasit e mi mbeten pakica skajshmërisht e diskriminuar në sistemin shtetëror në 13 vitet e fundit.