Shahini: Ndërmarrjet në rrezik
Lideri i AKB-së, Agim Shahini, për “Kosova Sot” tha se është për keqardhje, pasi që nga përfundimi i luftës e deri më sot në të gjitha NP-të kosovare, qeveritë e deritashme të Kosovës e kanë bërë emërimin e anëtarëve të bordeve publike, përmes një procesi, që lirisht mund të themi se këto emërime konsiderohen të politizuara, pasi që të emëruarit konsiderohen njerëz që përfaqësojnë politikën ose që janë të lidhur familjarisht me figura të njohura politike.
“Nëse edhe në të ardhmen u vazhdua me këso lloje të emërtimeve, them lirshëm se këto emërime nuk do të sjellin ndonjë përparim në ndërmarrjet publike, pasi emërimet e këtilla po bëhen në kundërshtim me normat demokratike të qeverisjes së mirë dhe do ta dëmtojnë zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve publike dhe vetë zhvillimin ekonomik, si një nga prioritetet e proklamuara të kësaj qeverie”, theksoi ai.
Sipas Shahinit, këto emërime janë bërë objekt diskutimi dhe reagimi nga ana e shoqërisë civile, që me të drejtë konstatojnë se në këto borde ka vetëm politizim dhe nepotizëm, pasi shumica e të emëruarve janë figura politike, të afërt me politikën dhe familjarë të politikanëve.
(Kosova Sot)


