Shahini: 400 biznese janë mbyllë për tre muaj, e bën Kosovën të mos jetë atraktiv për bizneset e reja
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thotë për Ekonomia Online se brenda tre muajve, në Kosovë janë shuar afër 400 kompani dhe se kjo po bëhet për shkak të borxheve e konkurrencës jo fer.
Këtë fakt, Shahini e sheh shqetësuese, teksa pret veprime institucionale.
“Është shqetësim për vendin, po flasim aktualisht për tre muajt e fundit ku mesatarisht janë mbyllur rreth 400 kompani e që këto kompani kryesisht janë mbyllur për shkaqe të problemeve të njëpasnjëshme që kanë pas për shkak të humbjes së fuqisë në treg të borxheve dhe të konkurrencës jo ferr”, thotë Shahini.
“Prandaj shuarja e bizneseve nuk mund të jetë vullnetare përderisa ata nuk kanë arritur objektivat e veta. Asnjë biznes nuk mbyllet vullnetarisht që i ka punët mirë por që i ka punët keq dhe kjo e bën që Kosova të mos jetë një vend atraktiv për bizneset e reja por edhe bizneset me traditë janë duke shkuar drejt falimentimit për arsye të ndryshme të goditjeve të njëpasnjëshme që vijnë në biznes”, shtoi ai.
Mundësitë e reja zhvillimore ato të investimit si dhe mbështetëse janë tre faktorë tejet të rëndësishëm për tu zhvilluar një biznes, thotë Shahini.
Shahini numëron edhe ngarkesat që bizneset i kanë në vend, përfshirë ato tatimore e infrastrukturore.“Qeveria e vendit duhet të bëjë edhe më shumë, për të krijuar mundësi të reja zhvillimore, mundësi të reja investuese dhe mbështetëse duke i pasur këta tre faktorë të rëndësishëm për të mbajt aktiv ekonominë e vendit. Bizneset janë tepër të angazhuar dhe të bëjë gjithçka që ata të mos mbyllen, por në fund vjen momenti kur edhe mund të dorëzohen dhe nuk mund t’i përballen qoftë ngarkesave të njëpasnjëshme duke përfshirë këtu ngarkesat e larta tatimore, ato të larta të interesit bankar, infrastruktura shpesh e bën ajo fizike që disa biznese mund të mbyllen edhe për këtë çështje po ashtu për humbje të fuqisë konkurruese, humbja e tregjeve dhe mungesa e punëtorëve që kohët e fundit një fenomen po bëhet i zakonshëm”, thotë ai.
Shahini kërkon që termi “bizneset po mbyllen vullnetarisht” të mos përdoret, pasi siç thekson ai, askush “nuk shkon te shtëpia me prit ndonjë ndihmë sociale”.
“Bizneset zakonisht pas përfundimit të dorëzimit dhe aktivitetit të vetë ekonomik para konkurrencës, para fuqisë konkurruese ata mund të fillojnë procedurat për mbylljen e bizneseve dhe atyre askush nuk shkon me e mbyll biznesin por ata në mënyrë vullnetare që duhet ta përmbyllin procesin por vullnetarisht ata nuk e kanë mbyll punën e vetë, biznesin dhe aktivitetin e vetë”.“Nuk duhet përdoret termi ‘vullnetar’, për arsye se vullnetarisht ata i kanë hap bizneset por ka ardhur momenti kur ata edhe duhet të dorëzohen në mënyrë ligjore të paraqesin ç’regjistrimin e biznesit dhe të shikojnë të gjejnë alternativa tjera për tu punësuar ata njerëz ose për të krijuar ndonjë mundësi tjetër ose largim nga vendi ose të gjejnë mundësi tjetër të bashkojnë kapitalin e vetë në ndonjë biznes tjetër apo ndonjë individ tjetër por prape së prape askush vullnetarisht nuk e mbyll biznesin e vetë dhe askush nuk shkon te shtëpia me prit ndonjë ndihmë sociale përderisa ai është i aftë për punë”, thotë Shahini.