UBT

Sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Bekim Thaqi – Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një histori të bujshme në aspektin e sigurisë, dhe duke marrë parasysh këtë ato kanë edhe sfida të veçanta, që duhet ti adresojnë në këtë apo atë mënyrë, ashtu që të mund të ecin përpara si shtete të veçanta dhe si një tërësi rajonale gjeografike.

Ndër sfidat më të veçanta dhe me problematike, janë problemet në marrëdhëniet politike dhe të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë, adresimi i çështjes së shqiptarëve në Serbi, ashtu si dhe çështjet e sigurisë në Maqedoni pas përfundimit të konfliktit të armatosur midis shqiptarëve dhe maqedonasve, ku vazhdimisht ka pasur tendenca të një konflikti sa të hapur e sa në formë të një “status quoje”, por i cili mund të hapet në çdo kohë dhe mund të paraqesë sfida serioze të sigurisë në rajon. Bosnja paraqet gjithashtu një sfidë tjetër, duke marrë parasysh se ka një shtet të përberë nga tri entitete, dhe ku secili entitet përmban në vete një armiqësi sa të hapur ashtu edhe të fshehur ndaj tjetrit. Mali i Zi është pjesë e këtyre sfidave edhe pse të një intensiteti më të ulët, tanimë qe është pjesë e NATO-s dhe ka garanci nga kjo organizatë.

Kosova si sfidë të veçantë dhe serioze e ka pjesën veriore të saj, dhe shtrimin e ndikimit të pushtetit edhe në këtë pjesë, meqenëse që prej pasluftës e këndej ka pas një lloj “anarkie” të dirigjuar nga Beogradi, dhe të mbështetur nga struktura paramilitare të banorëve lokal dhe qendrave të tyre urdhërdhënëse në Serbi. Në rrafshin e kontrollit të kësaj pjese, është bërë një përparim i vogël mirëpo i pamjaftueshëm, pasi në çdo kohë dhe në çfarëdo rrethanë mund të ketë probleme dhe rebelime të banorëve serbë të cilët duket se reagojnë pas infuzioneve

që vijnë nga Beogradi dhe agjencitë serbe të sigurisë saherë që ato e shohin të nevojshme që të destabilizojnë situatën në këtë pjesë. Këtu një rol të veçantë do të duhej ta luante forca shumëkombëshe e KFOR-it, e cila së paku deri tani për hirë të një stabiliteti gjithëpërfshirës rajonal dhe politik, ka qenë pak më e durueshme dhe me dorëshlirë ndaj strukturave paralele serbe në këtë zonë dhe me këtë i kanë “trimëruar” ato që të qëndrojnë dhe kryejnë punët e tyre shpeshherë kriminale pa u trazuar nga askush.

Mobi Casa

Presheva si një rajon i banuar me shqiptarë, paraqet një sfidë tjetër të veçantë në Ballkanin Perëndimor ku pas konfliktit në vitet 1999-2001 nuk është bërë shumë në integrimin e tyre dhe marrëveshja midis Serbisë dhe UCPMB-së e ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar nuk është realizuar deri në fund dhe se ka mjaft pakënaqësi sa i përket zhvillimeve dhe të drejtave të shqiptarëve atje.

Maqedonia edhe pse në dukje një vend deri diku stabil nuk po arrin të gjejë formulën e integrimit të shqiptarëve në shtetin Maqedon dhe vazhdimisht ka abuzuar me të drejtat e shqiptareve atje dhe me këtë ka krijuar një klime të ndjenjës së inferioritetit tek faktori shqiptar. Duhet të merren parasysh edhe problemet me Greqinë dhe me emrin e Maqedonisë që edhe pse një problem me tepër politik ka krijuar tensione të vazhdueshme në dekadat e fundit.
Mali i Zi është më i sigurt në këtë aspekt pas pranimit në NATO, edhe pse nuk duhet harruar se u tentua një grushtet me herët gjatë këtij viti, me ç’rast ndikimi rus dhe serb ka qenë mjaft i pranishëm në këtë ngjarje.

Një zgjidhje e shpejtë dhe e mundshme e këtyre sfidave nuk duket ende në horizont dhe duke marrë parasysh edhe prezencën e rritur

ruse në përgjithësi në Ballkan, rajoni do të vazhdojë të pasqyrojë një jostabilitet së paku edhe për 10 vitet e ardhshme. Prandaj Kosova duhet të jetë e përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm që mund të dalin nga këto situata dhe të ketë disa plane të ndryshme se si të reagojë në bazë të situatave të krijuara./rajonipress/