Fundamenti

Sfida e vështirësi e presin Komitetin për Mbikëqyrjen e Marrëveshjes së Ohrit

/ 3 minuta lexim

Takimi i 2 majit ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet ta shtrojë rrugën për funksionimin e Komitetit Monitorues për marrëveshjen e Ohrit. Puna e këtij Komiteti që u themelua dje nga Bashkimi Evropian, parashikohet të përballet me sfida të vështira. Megjithatë, në anën tjetër takimet e tilla vlerësohen pozitive për zbutjen e qëndrimeve të palëve.

Punë jo të lehtë pritet të ketë mekanizmi i themeluar të martën nga Bashkimi Evropian për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

Kosovën aty do ta përfaqësojë ambasadori Agron Bajrami, kurse Serbinë kryenegociatori Petar Petkoviq.

Por, marrë parasysh qëndrimet dhe veprimet e deritashme sidomos të Serbisë, njohës së procesit të dialogut presin vështirësi në punën e Komitetit të Përbashkët.

“Besoj që do të ketë sfida jashtëzakonisht të vështira por kjo në fund të ditës varet nga qasja dhe vendosshmëria e Bashkimit Evropian. Nëse Bashkimi Evropian është i vendosur ta zbatojë marrëveshjen në tërësi për të dyja palët mbetet të shihet. Por hapat e parë nuk janë shumë premtues”, ka thënë Dritëro Arifi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Themelimi i këtij Komiteti në orët e fundit të afatit, sipas Arifit tregon joseriozitetin e BE-së dhe shfaq paqartësitë që ekzistojnë për shumë çështje rreth marrëveshjes.

Mobi Casa

Anëtarët e ekipit që kryesohet nga BE-ja do të jenë përgjegjës për të matur nivelin e zbatimit të marrëveshjes nga palët.

Me gjithë sfidat, ligjëruesi i sociologjisë politike, Artan Mustafa, thotë që pozitiv është fakti i mbajtjes së takimeve.

Sipas tij, kjo krijon një klimë mirëbesimi e cila më pas i kontribuon stabilitetit.

“Pasi nuk ka një vullnet shumë të madh, një vendosmëri, zotim të liderëve të dy vendeve që janë të interesuar dhe dëshirojnë tu japin fund mosmarrëveshjeve me Kosovën, atëherë këto takime edhe pse nuk e zgjidhin problemin përfundimisht, së paku në këtë dekadë si e përmende, i kontribuojnë në mënyrë simbolike ruajtjes së paqes”, ka deklaruar Artan Mustafa, ligjërues i sociologjisë politike.

Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës ndërmjet liderëve Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, i cili është caktuar të mbahet më 2 maj në Bruksel./RTV Dukagjini/