Sevile s’ishte vetëm?

Skandali seksual në BBC vetëm sa po zgjerohet. Tani po dyshohet se vajza të mitura dhunuan edhe mjekët dhe politikanët.
Pas një jave prejse Scotland Yard inicioi një hetim zyrtar për dhunimin dhe keqtrajtimet seksuale të shumë vajzave dhe grave nga udhëheqësi i njohur i televizionit BBC, Sir Jimmy Savile, dhe pasi u identifikuan më shumë se 200 viktima të mundshme, në ndërkohë po shfaqen edhe detaje të reja të keqtrajtimeve.
Në të vërtetë, hetimi tani është zgjeruar, dhe aktualisht po hetohen edhe tre mjekë, për të cilët dyshohet se gjithashtu kanë keqtrajtuar femra të mitura, dhe atë në të njëjtat spitale dhe në të njëjtën kohë kur këtë po e bënte edhe Savile.
Sipas gazetës britanike ‘The Guardian’, gjatë dy javëve të fundit policisë i janë lajmëruar shumë viktima, të cilat pohojnë se tre mjekë ishin në qendër të rrjetit të keqtrajtuesve që ishin të lidhur me Savile.
Rrjeti pedofil shkonte deri në Downing Street?
Deputeti laburist, Tom Watson, deklaroi në parlament se në Britaninë e Madhe për shumë vjet me radhë vepronte i papenguar një rrjet pedofilësh, disa anëtarë të të cilit madje ishin edhe disa politikanë me ndikim në vend.
Në këtë kontekst, Watson përkujtoi rastin e Peter Righton, i cili në vitin 1992 ishte akuzuar për shkak të pornografisë me fëmijë. Pikërisht në atë rast, nënvizoi Watson, edhe ekzistojnë dëshmi lidhur me rrjetin e pedofilëve i cili shkonte deri në Downing Street. Mediat britanike supozojnë se Watson në këtë mënyrë akuzoi në mënyrë indirekte ish-kryeministrin Edward Heath, ose shefin e dikurshëm të kabinetit të kryeministres Margaret Thatcher, Peter Morrison.
Ndryshe, Watson në opinionin publik gëzon respekt dhe kredibilitet, sepse pikërisht falë tij ishte nisur hetimi kundër perandorisë mediale të Rupert Murdoch, për shkak të ndërhyrjeve në postat elektronike private dhe përgjimit të bisedave telefonike. Ky hetim, siç e dimë, përfundoi me shuarjen e tabloidit më të vjetër britanik, ‘News of the World’, dhe me hetime dhe procese gjyqësore kundër personave përgjegjës, të cilat po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Dhunimet me dekada të vajzave dhe grave të reja
Sulmi i parë seksual ndodhi në vitin 1959, edhe pse ekzistojnë dëshmi që flasin për dekada të tëra të keqtrajtimeve seksuale, shumica e të cilave ndodhën gjatë viteve të 70‘a dhe 80’a të shekullit të kaluar.
Savile vdiq në muajin tetor të vitit 2011, në moshën 84-vjeçare. Por ditëve të fundit po bëhet gjithnjë e më e qartë se ai ishte një keqtrajtues serik seksual i vajzave dhe grave të reja. Akuzat e para kundër tij ishin shfaqur qysh në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ndërkohë që televizioni BBC tek para një jave hodhi poshtë akuzat, sipas të cilave edhe vetë BBC kishte qenë pjesëmarrëse në humbjen e gjurmëve të dhunimeve dhe keqtrajtimeve të kryera nga Savile.
Vetëm atëherë, drejtori i përgjithshëm i njërës prej shtëpive më të mëdha mediale në botë, George Entwistle, u kërkoi falje të gjitha fermave të keqtrajtuara, duke thënë se BBC, megjithatë, do të iniciojë një hetim të plotë lidhur me ngjarjet brenda këtij gjiganti medial.
Paraprakisht, kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, paralajmëroi se ish-yllit të dikurshëm televiziv – i cili njihej për emisionet “Jim’ll Fix It” dhe “Top of the Pops” – mund t’i merret titulli i kalorësit.
Nga ana tjetër, redaktori i emisionit politik “Newsnight”, Peter Rippon ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, pasi që opinioni publik e kuptoi se ai dhe emisioni i tij ishin në dijeni të plotë lidhur me akuzat se Sevile kishte keqtrajtuar adoleshente, por edhe për shkak se Rippon posedonte informacione për këto raste, për të cilat policia nuk ishte në njohuri.
Në dhjetor të vitit të kaluar Rippon ishte marrë me hetimin e aktiviteteve të Sevile. E, në fillim të muajit tetor të këtij viti, Rippon kishte shkuar një raport në blogun e tij, në të cilin i arsyetonte shkaqet e ndërprerjes së hetimit gazetaresk ndaj Sevile të një viti më parë.
Të enjten televizioni BBC bëri të ditur se në atë blog ka disa pjesë që janë “të pasakta dhe jo të plota”. Njëra prej atyre pjesëve është edhe fjalia, se hetuesit e BBC nuk kishin gjetur kurrfarë dëshmish kundër BBC’së. Në të vërtetë, më vonë kishte dalë se ata, megjithatë, kishin gjetur dëshmi që flisnin për një sjellje të palejuar brenda BBC’së, edhe pse shtëpia mediale vazhdon të insistojë se “nuk ka dëshmi që personeli i BBC’së kishte ditur diçka për aktivitetet e Savile”. Po ashtu, në blogun e tij Rippon kishte shkruar edhe atë se të gjitha femrat me të cilat kishin biseduar hetuesit, paraprakisht kishin kontaktuar me policinë, edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë për shumicën e rasteve.