Serwer: Shqiptarët t’i kërkojnë të drejtat në rrugë dhe gjykata
Me kryengritje të armatosura, sikurse ajo që ndodhi në Kumanovë, shqiptarët nuk mund të fitojnë më shumë të drejta në Maqedoni, ka thënë njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer. Sipas tij, kryengritjet e tilla nuk do të kenë sukses, dhe se të drejtat duhet kërkuar me mjete demokratike, duke përfshirë edhe protestat.
Duke komentuar mbi mundësinë e inskenimit të sulmit nga Qeveria Gruevski, për të zhvendosur vëmendjen nga kriza politike për shkak të përgjimeve, Serwer thotë se për këtë duhen fakte, që tash për tash nuk ekzistojnë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas tij, videot e publikuara janë të turpshme, “por si të vërtetohet se Qeveria vrau 14 njerëz për të shkëputur vëmendjen prej skandaleve”. Ai ka përjashtuar mundësinë që grupet e tilla të rriten dhe të organizojnë aksione të tjera në Maqedoni.
Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, Serwer ka folur edhe për rolin e partive politike shqiptare. Edhe në qoftë se Ali Ahmeti me partinë e tij del nga Qeveria, sipas Serwerit, kryeministri Gruevski do ta ketë shumicën për vendimmarrje. Ai ka thënë se rrëzimi i Gruevskit mund të ndodhë vetëm nëse ka mobilizim të madh.
Teksa ka folur për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Serwer ka tërhequr një paralele me Baltimoren, qytet në ShBA që së fundi ka qenë arenë e protestave të qytetarëve amerikanë të irrituar ndaj politikave raciste.
“Kjo është normale në demokraci. Çfarë nuk është normale apo e pranueshme, janë forcat e rebeluara dhe të armatosura”, ka potencuar Serwer.
Eksperti i Ballkanit nuk e ka përjashtuar mundësinë që sulmet, sikurse ai në Kumanovë, të ndodhin edhe në Kosovë. Madje, sipas tij, nga këto grupe më të rrezikuara janë Kosova dhe Shqipëria, sesa Maqedonia./koha/
http://koha.net/?id=27&l=57796


