RCCOLA

Serwer për draft-statutin: Një dispozitë parasheh kompetenca ekzekutive

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Specialisti në fushën për menaxhimin e konfliktit dhe një nga vëzhguesit e dinamikës politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka komentuar përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, i cili ka qarkulluar ditët e fundit në media nën pretendimet për autenticitetin e dokumentit të prezantuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Në një botim autorial, profesori amerikan ka hedhur vështrimin e tij mbi “të mirat” dhe “të këqijat” rreth draft-statutit “modern dhe evropian” të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke theksuar se ana pozitive është fakti se ky mekanizëm për serbët e Kosovës do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke përfshirë çdo ndryshim të statutit.

Gjithashtu, ndonëse Serwer ka pohuar se përmbajtja e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është e ndërlikuar, ka shtuar se një ndër aspektet pozitive të dokumentit është edhe referenca ‘Republika e Kosovës’ dhe roli i theksuar i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të Qeverisë së Kosovës në themelimin e tij.

“Anëtarësimi në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është vullnetar për komunat me shumicë serbe. Komunitetet joserbe duhet të përfaqësohen edhe pse në një mënyrë të papërcaktuar. BE-ja do të sigurojë mbikëqyrje për 5 vjet e rinovueshme edhe për 5 të tjera”, ka shtuar profesori amerikan për të përmbyllur pesë “të mirat” që burojnë nga draft-statuti.

Mobi Casa

E duke hedhur vështrimin e tij mbi “të këqijat” e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, profesori amerikan ka konsideruar se një pjesë e draft-statutit ku flitet për qëllimin e këtij mekanizmi, ekziston mundësia e pranimit të kompetencave ekzekutive në fushat e përgjegjësisë komunale tashmë ekzistuese për serbët e Kosovës.

Gjithashtu, ai e ka parë shumë problematike edhe aspektin e mbështetjes financiare të Qeverisë së Serbisë për Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pa kërkuar që ajo të rrjedhë përmes Qeverisë së Kosovës që kryen vetëm auditime të jashtme në pajtim me ligjin e Kosovës. Ai ka shtuar se një dispozitë parasheh “kompetenca ekzekutive” për këtë mekanizëm.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mund të miratojë rregullore, vendime, deklarata, rregullore dhe udhëzime. Kjo dispozitë parashikon qartë kompetenca ekzekutive. Qeveria e Serbisë përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të ofrojë shërbime shëndetësore dhe arsimore. Kjo e cenon sovranitetin e Kosovës”, ka nënvizuar ai.

Në disa media janë publikuar fragmente të cilat pretendohet se janë pjesë nga draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, porse zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ndonëse nuk i ka demantuar plotësisht pretendimet e mediave kosovare, ka thënë se propozimi nuk është bërë publik ngase përpjekjet diplomatike janë në vazhdim.