Serwer analizon seancën dëgjimore të Chollet dhe Escobarit: Çka harroi të thotë DASH-i?

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Seanca e djeshme e Derek Chollet, këshilltar Special i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretar i ngarkuar për Ballkanin në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit tregoi se senatorët e pranishëm dinë vërtetë diçka për Ballkanin.

Pyetjet ishin të rëndësishme dhe ndonjëherë të mprehta, ndërsa përgjigjet ishin të shkurtra, tha Daniel Serwer, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.

Natyrisht, të dy u shprehën se janë pro anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Ata folën kundër keqpërdorimeve ruse, financimit kinez, korrupsionit dhe etno-nacionalizmit.

Por, ajo që ata nuk thonë është vërtetë e rëndësishme, duke u nisur nga premisa, “Evropa e plotë dhe e lirë”. Ky slogan i politikës së jashtme amerikane nga vitet 1990 është i pazbatueshëm sot dhe për të ardhmen e parashikueshme, thotë Server në analizën e tij të publikuar në peacefare.net.

Evropa nuk do të jetë e plotë dhe e lirë së shpejti, beson Serwer. “Ne do të duhet të tërheqim vijën diku. Kjo është ajo që ka të bëjë me luftën në Ukrainë: a do të jetë Kievi në anën perëndimore të vijës, apo e gjithë ose një pjesë e Ukrainës do të detyrohet t’i nënshtrohet Rusisë”?

Pavarësisht karotave, Beogradi përfundimisht zgjodhi Moskën e Pekinin

Ndërsa amerikanët po përpiqen ta joshin me të gjitha karotat që mund të mendojnë, Beogradi vitet e fundit ka zgjedhur përfundimisht të lëvizë drejt Moskës dhe Pekinit. Nuk ka asnjë tregues për ndonjë gjë tjetër përveç interesit retorik për anëtarësimin në BE. Progresi në procesin e pranimit në BE ka ngecur. Sistemi politik në Serbi u kthye drejt autokracisë.

Uji Dea

“Presidenti Vuçiq dhe besnikët e tij, që përfshin pothuajse të gjithë peizazhin mediatik në Serbi, flasin për ambicie për të rimarrë Kosovën (ose një pjesë të saj) dhe përdorin fyerjet më të këqija të mundshme etnike ndaj shqiptarëve. Asgjë e tillë nuk ndodh realisht në Kosovë”, thotë profesori amerikan.

Në lidhje me dialogun Beograd/Prishtinë, Escobar pretendoi se marrëveshjet për normalizim të arritura në shkurt dhe mars janë juridikisht të detyrueshme dhe po zbatohen, por kur u përball me shembuj të refuzimit të presidentit Vuçiq për të zbatuar dispozita specifike, ai dhe Chollet u tërhoqën në një qasje ekuivalente. Kjo ishte përgjigja e tyre ndaj korrupsionit në Beograd, “Atë e gjejmë kudo në Ballkan”.

Kohët e fundit nuk mund të përmend asnjë zyrtar amerikan që ka vënë në dukje në mënyrë eksplicite manifestimet e shumta dhe të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Serbi, thekson Serwer.

Cholet dhe Escobar ishin entuziastë për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, duke argumentuar se kjo do t’i lejonte serbët të integroheshin më shumë në Kosovë dhe se do të duhej të ishte në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Ata e injoruan propozimin serb për Asociacionin, e cila synon qartë të krijojë një entitet autonom serb me fuqi ekzekutive brenda Kosovës, si ‘Republika Srpska’ e Bosnjës-Hercegovinës.

Ata ishin gjithashtu entuziastë për nismën e Serbisë për Ballkanin e Hapur, me kusht që ajo t’i trajtojë të gjitha vendet pjesëmarrëse në mënyrë të barabartë. Ata harruan të përmendin se Kosova nuk ishte ftuar as në Ballkanin e Hapur, sepse Beogradi nuk dëshiron që ftesa t’i bëhet si shtet. /Telegrafi/