Fundamenti

Seriozisht për zgjedhje

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Në PDK e kanë marrë seriozisht punën e zgjedhjeve të brendshme. Duket se Hashim Thaçi synon që këtë vit ta mbajë Kuvendin e Partisë. Përveç ndryshimeve në statut, në PDK po përpiqen të formojnë gjatë kësaj kohe edhe kabinete të qeverisjes së mirë në çdo komunë, ku janë në opozitë. Por, ndryshimet nuk do të prekin mënyrën e zgjedhjes së Kryetarit.

Selisë së Partisë Demokratike të Kosovës të Hashim Thaçit, pas pesë vjetësh, iu ka kthyer gjallëria.

Qyshkur kjo parti i fitoi zgjedhjet, në seli nuk shkonte askush.

Por, megjithëse vazhdojnë të jenë në pushtet, krerët e partisë tash po e vizitojnë atë pothuajse çdo ditë.

Kryetari Hashim Thaçi duket se është i interesuar që procesi zgjedhor i brendshëm të kryhet gjithsesi brenda këtij viti, pavarësisht kundërshtimeve dhe debateve që ekzistojnë në shtëpinë e tij politike.

Edhe të hënën ai e mblodhi Kryesinë, ku u prezantuan disa dokumente rreth çështjeve teknike dhe organizative të zgjedhjeve.

Pas mbledhjes, gazetarëve u është drejtuar Hajredin Kuçi, Nënkryetar i PDK’së.

“Janë diskutuar vetëm çështjet teknike, organizative, asnjë vendim nuk është marrë. Ka qenë një diskutim relaksues, disa dokumente na i ka dhënë zoti Musa Murati, i kemi shikuar te shtëpia dhe i kemi analizuar, asgjë tjetër”, ka thënë ai.

Procesi i brendshëm zgjedhor fillon në fillim të nëntorit, derisa pritet të përfundojë pas 45 ditësh.

Burime të Gazetës Express thonë se aktualisht po punohet në ndryshimet e Statutit të PDK’së dhe inkurajimin e njerëzve të partisë që të marrin pjesë në zgjedhjet nëpër degë.

Një zyrtar i kësaj partie i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se ndryshimet në statut lidhen me përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm dhe me detyrat e ekzekutivit të partisë – Kryesisë Qendrore.

“Një prej ndryshimeve është se çdo deputet i PDK’së automatikisht zgjidhet edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm”, ka thënë burimi i gazetës.

RCCOLA

Ndryshimet e statutit lidhen edhe me qëllimin e kreut të PDK’së që të formojë kabinete të Qeverisë së Mirë gjithkund, ku partia e tij është në opozitë.

“Përveç Prishtinës, gjatë ditëve të ardhshme do të formohen edhe kabinete tjera të qeverisjes së mirë. Pra, gjithkund ku ne jemi pakicë, me qëllim që edhe atje të bëhemi partia e parë”, ka thënë zyrtari i PDK’së për Express.

Analistë politikë ndërkaq janë shprehur se synimi i Kryetarit Thaçi është shtyrja e zgjedhjeve, për shkak të pakënaqësive që kanë disa figura të rëndësishme të kësaj partie me lidershipin e saj.

Por, kjo duket se nuk është e vërtetë.

Në një intervistë për Express, Adem Grabovci, një prej njerëzve të besuar të Hashim Thaçit në PDK, ka thënë se zgjedhjet do të mbahen gjithsesi këtë vit.

Nëse kohë me parë kundërshtitë ishin jopublike, tashmë s’ka asnjë dyshim se në këtë parti ka probleme.

Madje, të hënën në mbledhjen e Kryesisë së PDK’së nuk ishte i pranishëm Nënkryetari Fatmir Limaj, i cili bashkë me Jakup Krasniqin konsiderohet si bllok kundër Hashim Thaçit.

Hajredin Kuçi nuk ka dhënë ndonjë arsye për mungesën e Limajt, duke tentuar t’i bishtnojë pyetjes.

“Unë besoj që nuk është ndonjë temë e veçantë se kush ka qenë e kush nuk ka qenë”, ka thënë ai.

Një prej pikave ku kanë lindur mospajtimet mes Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit me Hashim Thaçin është edhe mënyra e zgjedhjes së Kryetarit të partisë. Ata janë shprehur në favor të sistemit “një anëtar, një votë”.

Por, kjo kërkesë e tyre duket se nuk do të realizohet.

I pyetur rreth kësaj çështjeje, Enver Hoxhaj, anëtar i Kryesisë, ka thënë se gjithçka do të zhvillohet në bazë të Statutit aktual. E Statuti aktual e thotë se Kryetari zgjidhet me votat e delegatëve.(express)